Rusia dhe separatistët shtojnë kapacitetet për ofensivë të re në Ukrainë

Separatistët dhe Rusia kanë rritur kapacitetet e tyre ushtarake në lindje të Ukrainës duke iu mundësuar të ndërmarrin sulme të reja brenda një kohe të shkurtër, theksoi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Bota

11/05/2015 19:35

“Kemi parë këta muaj dhe javë të fundit një mbështetje të vazhdueshme të Rusisë për separatistët, me armë të rënda, municione, sisteme të sofistikuara të mbrojtjes anti-ajrore, trajnime por gjithashtu dhe trupa”, nënvizoi Stoltenberg.

“Ata kanë kapacitetet dhe aftësitë e nevojshme për të ndërmarrë sulme të reja brenda një kohe shumë të shkurtër”, shtoi ai në një konferencë shtypi.

“Sigurisht, askush nuk mund të thotë se cilat janë qëllimet e tyre. Por është një shqetësim i madh kur shikojmë këtë rritje të vazhdueshme të kapaciteteve ushtarake”, theksoi ai.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s përmendi gjithashtu riforcimin rus përgjatë kufirit mes Rusisë dhe Ukrainës dhe në lindje të Ukrainës me një fluks të vazhdueshëm të pajisjeve, tankeve, artilerisë, municioneve.

Ai kërkoi nga Rusia që të tërheqë mbështetjen për separatistët në shkelje të marrëveshjeve së armëpushimit të Minskut dhe të përdorë influencën e saj mbi separatistët me qëllim që ata të respektojnë marrëveshjet e armëpushimit.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter konfirmoi javën e kaluar se separatistët në rajonet e Doneckut dhe Lluganskit po përgatiten për një seancë tjetër veprimesh ushtarake.

Pavarësisht armëpushimit, luftimet sporadike kanë qenë të herëpashershme në lindje të Ukrainës, ku konflikti i armatosur ka shkaktuar më shumë se 6,200 të vdekur që prej muajit prill 2014.

Ndërkohë, një takim i ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s pritet të zhvillohet këtë javë në Turqi, për të diskutuar në lidhje me gjendjen në Ukrainë.