Rusi: Muzikë kundër sistemit

Grupet muzikore kritike ndaj qeverisë në Rusi ndodhen nën presionin e autoriteteve. Qeveria druan, se mund të krijohet lëvizje rinore kritike ndaj Kremlinit. Ndër grupet e prekura është edhe dueti i elektro-pop IC3PEAK.

Bota

08/03/2019 13:43

Ata bien në sy, janë rebelues dhe koncerti tashmë është shpallur. Grupi IC3PEAK ka koncertin e fundit të turneut në Rusi, në Rjasan një hit i veçantë është kënga „Shkatarraqja e trishtuar”.  Një himn kundër autoritetit, elitave dhe konformizmit.

Me të tilla këngë ata kanë ngjallur dyshimet tek organet ruse të sigurisë, që u kanë ndaluar atyre më shumë se gjysmën e koncerteve të turneut ose i kanë penguar ata gjatë shfaqjeve, thonë pjestarët e formacioni. Muzikantët janë kontrolluar dhe marrë disa herë në pyetje. Nikolai Kostiljeov: Eshtë një ndijesi tërësisht sureale. Ne këndojmë disa këngë dhe shërbimi sekret na ndjek ne nëpër qytet. Madje në disa këngë ne kemi mesazhe politike. Por politika është vetëm një përqindje e vogël në tërësinë e performancës sonë. Ndaj shtrohet pyetja, çfarë do të bëhej sikur ne të ishim një grupim i vërtetë politik? As që do të na lejonin të jepnim shfaqje.”

Me tekste e video formacioni IC3PEAK provokon në mënyrë të vetëdijshme. Autoritet kanë në shënjestër jo vetëm IC3PEAK, por edhe grupe të tjera performuese. Mbi 40 koncerte të artistëve të rinj janë anulluar vitin e kaluar. Kjo e ka bërë të pasigurtë skenën ruse të muzikës. Megjithatë solidariteti është i  madh. Në Moskë në fund të vitit 2018 artistët protestuan kundër veprimeve të Kremlinit. DJ Petar Martich thotë, se: “Nëse ndodhin të tilla absurditete me artistë të tjerë, ato shumë shpejt mund të na prekin edhe ne.”

Edhe Vladimir Putin e ka kuptuar dhe tani po angazhohet personalisht për një ndryshim të politikës. Në një mbledhje së fundi ai kërkoi që deri në shtator të paraqiten ide që të nxisin kulturën e rinisë. Putin: Rap dhe lloje të tjera të muzikës moderne bazohen në tri shtylla: Sex, drogë dhe protestë. Shqetësimi ynë i madh në këtë kontekst është padyshim droga. Kjo çon në degjenerimin e të gjithë shoqërisë. Nëse nuk e ndal dot këtë muzikë, atëherë atë të paktën duhet ta drejtosh dhe ta orientosh.”

Ta drejtosh dhe ta orientosh atë – ekspertët besojnë, që Kremlini do të bëjë ç’është e mundur në mënyrë që pakënaqësia të mos kthehet në një lëvizje politike kundër tij. Politologu Ilja Graschtschenkov mendon, se: “Ajo që shohim tani është përpjekja, që të damkoset si e gabuar ajo çfarë nuk kuptohet. Për Kremlinin më e rëndësishmja tani është të rivendosë komunikimin, për të kuptuar, se cili është ky brez i ri, çfarë do ai dhe si duhet të sillesh me të.”
Ndërsa tifozët e muzikës së grupit IC3PEAK në Rjasan, thonë se ata pikërisht tek kjo muzikë dhe përmbajtja e saj gjejnë veten: “Muzika më përshtatet tërësisht, ajo pasqyron realitetin tim këtu. Unë e kuptoj mirë se çfarë duan të thonë ata”, thotë nëna e një të riu që ka ardhur në koncert. “Që qeveria ushtron presion ndaj grupit, me këtë nuk zgjidhen problemet e së përditshmes, për të cilat këndojnë muzikantët – një gjë e tillë më shumë i nxit protestat”, mendon një tjetër spektatore.
Grupi i njeh mirë problemet e hallet e tifozëve të vet – ka shumë të rinj në Rusi, që nuk ndihen të kuptuar prej Kremlinit. Anastasia Kreslina e grupit IC3PEAK thotë, se
“Qeveria ka vendosur ta dirigjojë kulturën e rinisë në frymën e saj, duke i kthyer gjërat në njëfarë mënyre drejt së shkuarës. Por procesi që ka nisur nuk mund të ndalet më. E ne në asnjë mënyrë nuk do të bëjmë vetëcensurim.”
Muzika sarkastike e IC3PEAKs u prek nervin shumë rusëve të rinj. Përplasja me autoritetet i ka sjellë edhe më shumë vëmendje këtij grupi. Ndërkohë ata konsiderohen si zëri i brezit të ri, që nuk do ta pranojë më pa kritikë politikën në Rusi. /DW