Rushiti: Shkarkimi i nëpunësve civilë pa ndonjë arsye është i paligjshëm

Qeveria ka obligim që të risistemojë të gjithë nëpunësit civilë tepricë, të cilët pas bashkimit të disa dikastereve nuk janë përcaktuar ende se në cilën ministri do të punojnë. Asnjërit nga ta nuk duhet t’iu shkëputet kontrata, një gjë e tillë është edhe e paligjshme.

Lajme

24/02/2020 13:46

Kështu u tha të hënën në tryezën e diskutimit lidhur me “Dyfishimin e pozitave të nëpunësve civilë si rezultat i ristrukturimit të qeverisë nga 21 në 15 ministri”, organizuar nga “Demokracia Plus”.

Visar Rushiti nga kjo organizatë tha se të gjithë shërbyesit civilë duhet të risistemohen në ndonjë dikaster, në të kundërtën largimi i tyre nga puna, do të jetë i paligjshëm.

“Kur është marrë vendimi i qeverisë ka pasur sidomos në media interpretime që është shkëputur marrëdhënia e punës së sekretarëve. Mirëpo në vendim kur e kemi parë ideja është që ata kalojnë në një listë të nëpunësve civilë tepricë që parasheh Ligji për Shërbimin Civil. Dhe e njëjta duhet të ndodhë nëse kemi sot Ligj për Shërbim Civil, edhe nëse nesër vjen ligji për Zyrtarët Publikë. Bile Ligji për Shërbimin Civil e jep një afat prej një muaji për një ri-caktim tjetër në një pozitë mundësisht ekuivalente nëse ka të tillë, mandej shkon në një afat prej një viti. Por, Ligji për Shërbimin Civil tek neni përkatës, njëra prej dispozitave të fundit e parasheh që nëse nuk ri-caktohet brenda një viti marrëdhënia e tij e punës thuajse pushon së ekzistuari”, tha Rushiti.

Në këtë aspekt, Rushiti tha se Ligji për Zyrtarët Publik nuk e lë si mundësi shkëputjen e marrëdhënies së punës për nëpunësit civilë deri në ri-sistemimin në një dikaster të caktuar.

Qeveria sipas tij në këtë situatë nuk duhet të veprojë, sepse sipas tij mund të kthehet në fuqi Ligji për Zyrtarët Publik.

“As në këtë rast e as në raste më vonë nuk duhet të ketë shkarkim në kuptimin e ndërprerjes së marrëdhënies së punës të një nëpunësi civil, pavarësisht se në cilën ministri është ai. Çështja e ri-organizimit nuk ka të bëjë me këtë aspekt. Nëse qeveria dëshiron realisht të zvogëlojë numrin e nëpunësve civilë, nëse mendon që ka shumë, edhe dihet që ka shumë, duhet të ndjek një politikë dhe duhet të ketë një qasje tjetër. Një propozim që e kemi përcjellë më herët është që qeveria mundet të ndalojë procesin e rekrutimit ose marrjes së nëpunësve civil të tjerë, derisa të dihet se ku po ri-sistemohen dhe cilat janë detyrat e atij”, ka shtuar Rushiti, raporton Kosovapress.

Ndër të tjera, Rushiti nga D+ tha se do të ishte tjetër situatë atëherë kur nëpunësit civilë kanë aktakuza, apo kanë bërë ndonjë shkelje do të kishte kuptim pezullimi i tyre. Mirëpo pa ndonjë arsyeje shkëputja e kontratës, sipas Rushitit, është e paligjshme.

Krahas kësaj, Valon Ramadani, anëtar i Komisionit për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal ka theksuar nevojën e rritjes së numrit të inspektorëve. Për çka sipas tij një gjë e tillë ka qenë edhe premtim i secilës qeveri, e që gjithmonë është ulur numri i tyre. Qeveria aktuale kishte premtuar se numri i inspektorëve do të jetë 400.

“Është e domosdoshme reforma, që në një anë e përmirëson gjendjen, e në anën tjetër e kursen buxhetin. Formatizimi e rrit efikasitetin sepse e profilizon dhe i kanalizon drejtimet. P o ashtu duhet të presim verdiktin final të Gjykatës Kushtetuese, instanca më kompetente e vlerësimit të kushtetutshmërisë të ligjit për zyrtarët publikë, që është në shqyrtim e sipër. Për të gjithë ne aktgjykimi i saj është obligim dhe implementimi qeveritar duhet të jetë i bazuar në atë që vendos gjykata”, ka deklaruar Ramadani.

Në këtë tryezë diskutimi, Naim Shala nga Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur shqetësimin edhe në emërtimin e këtyre ministrive. Sipas tij, ka qenë i panevojshëm të ndryshojë emërtimi, pasi disa dikastere janë bërë bashkë.