Rumunët të frikësuar nga tensionet në veri, dalin me një “mal” rekomandimesh për tifozët që do udhëtojnë në Prishtinë

Federata Rumune e Futbollit ka dalë me një thirrje për tifozët dhe gazetarët rumunë që do të udhëtojnë drejt Prishtinës për ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Evropian kundër Kosovës që luhet pas disa ditësh. Kosova dhe Rumania do të përballen më 16 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më fillim nga ora 20:45, shkruan lajmi.net.…

Sport

02/06/2023 12:31

Federata Rumune e Futbollit ka dalë me një thirrje për tifozët dhe gazetarët rumunë që do të udhëtojnë drejt Prishtinës për ndeshjen kualifikuese të Kampionatit Evropian kundër Kosovës që luhet pas disa ditësh.

Kosova dhe Rumania do të përballen më 16 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë më fillim nga ora 20:45, shkruan lajmi.net.

Tensionet e fundit në veri të Kosovës kanë ngjallur frikë edhe në Rumani, saktësisht te Federata Rumune e Futbollit atje të cilët kanë dalë me disa rekomandime për tifozët që do të udhëtojnë drejt kryeqytetit kosovar.

Ata kanë rekomanduar që hyrja në Kosovë të bëhet nga kufiri me Maqedoninë e Veriut ose nga Merdarja.

FRF gjithashtu ka bërë thirrje për tifozët që në stadium të mos shfaqin mesazhe politike që mund të sjellin reagime nga shikuesit kosovar.

“Situata e sigurisë në veri të Kosovës mund të përkeqësohet edhe më tej në të ardhmen e afërt. Për shtetasit rumunë që dëshirojnë të shpërngulen në Kosovë, rekomandojmë që hyrja në hapësirë ​​të bëhet në kufirin me Maqedoninë e Veriut (Hani i Elezit – në veri të Shkupit) ose me Serbinë (Merdare). Ne nuk rekomandojmë hyrjen në Kosovë përmes Bërnjakut dhe Jarinjes, pasi ato mund të bllokohen ose mbyllen nga autoritetet e Kosovës me mbështetjen e trupave të KFOR-it, nëse situata e sigurisë përkeqësohet ndjeshëm”, thuhet në komunikatën e FRF, njofton gsp.ro, transmeton lajmi.net.

“Gjithashtu, i rekomandojmë përkrahësve rumunë që gjatë udhëtimit në Kosovë, veçanërisht në stadium, të mos këndojnë apo shfaqin mesazhe politike që mund të sjellin reagime nga shikuesit nikoqirë”, thuhet mes tjerash.

Tensionet në veri të Kosovës kanë nisur prej ditësh për shkak të huliganëve dhe nacionalistëve serbë të cilët kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it./Lajmi.net/