Rummenigge ende i pasigurt për blerjen e përhershme të Coutinho

Drejtori i Përgjithshëm i Bayern Munich Karl-Heinz Rummenigge ende nuk është plotësisht i bindur nga Philippe Coutinho, duke shtuar akoma më shumë pasiguri në të ardhmen e tij, sipas Sport Bild.

Sport

24/02/2020 19:21

Lojtari u transferua në Bayern Munich nga Barcelona si huazim për këtë sezon, dhe klubi gjerman ka një mundësi për ta blerë në fund, por ende nuk është marrë asnjë vendim.

”Pse nuk është marrë vendimi? Kjo është një pyetje e vështirë”, tha Rummenigge. “Unë mendoj se ai luajti mirë në disa ndeshje, ndërsa në të tjera dha përshtypjen se ishte pak i frenuar”, transmeton lajmi.net.

Coutinho është paraqitur në 20 ndeshje për kampionët gjermanë në Bundesliga këtë sezon, duke shënuar gjashtë gola dhe duke dhënë gjashtë asistime. Ai gjithashtu ka një gol dhe dy asistime në Ligën e Kampionëve.

Ai nuk ka pasur një sezon të keq, por mbase nuk ka arritur të justifikojë opsionin e blerjes prej 100 milionë funte në kontratën e huazimit deri më tani. /Lajmi.net/