Rukiqi: Paga minimale s’rritet në Kuvend, rezolutat s’janë obliguese

Ditë më parë Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën për ngritjen e pagës minimale, e cila u propozua nga PSD-ja dhe u përkrah nga partitë e tjera.

Lajme

08/06/2019 11:31

Por, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Berat Rukiqi, në një intervistë dhënë për EkonomiaOnline thotë se Kuvendi i Kosovës nuk ka të drejtë të përcaktojë pagën minimale.

Sipas tij kjo është e drejtë e Këshillit Social i cili i propozon Qeverisë të ndërmarr këto veprime, përmes Sindikatës dhe  odave ekonomike.

“Kuvendi ka të drejtë të miratojë rezoluta, mirëpo Kuvendi nuk ka të drejtë të përcaktojë pagë minimale, është e drejtë ekskluzive e këshillit Ekonomik Social që t’i propozojë Qeverisë pagën minimale. Pra nuk mundet paga minimale me u propozua me rezolutë, por duhet përmes mekanizmit të këshillit Ekonomik Social dhe duhet të jetë në pajtueshmëri mes tre partnerëve social, Sindikatës që përfaqësojnë punëtorët, odave ekonomike që përfaqësojnë punëdhënësit dhe pjesa e tretë është e Qeverisë”.

I par i OEK-ut thotë se përcaktimi i pagës minimale nuk duhet të vendoset në “formë pazari”, ndërsa shton se përcaktimin i pagës minimale nuk zgjidhë problemet ekonomike të qytetarëve të vendit, ndërsa dëmton të papunët.

“Qeveria pa një harmonizim mes tre partnerëve social nuk mundë të propozohet pagë minimale dhe kjo është arsyeja e parë pse e kemi kundërshtua, e dyta arsye që e ka një kundërshtim akoma më të hershëm ose e ka origjinën edhe më herët është mënyra si përcaktohet paga minimale.  Kjo nuk është dëshirë apo nuk është çështje kushtimisht pazari këtë vlerë apo atë vlerë ose unë po kam dëshirë këtë verë apo atë verë. Duhet me kuptua që paga minimale nuk i zgjidh problemet jetësore të njerëzve, nuk i zgjidh secilin problem ekonomik”.

Ai shtoi se vitin e kaluar është negociuar një ngritje e pagës minimale që është më e lartë se Shqipëria, por që është  e pranueshme, dhe se mënyrat e tjera siç është rasti me rezolutën e miratuar ditë më parë nga Kuvendi i Kosovës krijojnë precedent që politikat ditore të ndikojnë në mekanizmat e tjera që e kanë të drejtën e marrjes së vendimeve.

“Vitin e kaluar është negociua një vlerë që besojmë që është e arsyeshme është brenda kornizës domethënë sa ekziston vendet të tjera të rajonit, normal është ma e lartë sesa Shqipëria edhe në disa vende që janë në ndarje të BE-së megjithatë janë të pranueshme. Pretendimet që me rezoluta me u përcaktua, krijojnë një far lloj precedenti negativë që pastaj çdo çështje që mund të jetë këtu për nevoja të politikave ditore.  Pra të ndikohet pastaj edhe në vendime qe janë vendime ekskluzive të një mekanizmi tjetër të cilat nuk mundem me ndryshua në asnjë rezolutë”, thotë Rukiqi.

Rukiqi paralajmëron legjislativin se Këshilli Social dhe partnerët  e tyre nuk e kanë për obligim të respektojë asnjë rezolutë, e cila pretendon rritjen e pagës minimale, pa u qartësuar fillimisht ndikimi që mund të ketë ky veprim.

Thotë se paga minimale duhet të përcaktohet në bazë të fuqisë blerëse të vendit tonë e jo përmes rezolutave.

“Debati nuk duhet të fokusohet tek ngritja e pagës minimale dhe vlerës, por që në fillim të kuptohet se çka është paga minimale në çfarë mënyra mundë të përcaktohet paga minimale dhe të shikohen mundësitë brenda vendeve të rajonit dhe me fuqinë blerëse të vendit tonë dhe jo përmes rezolutave në Kuvend”, përfundon Rukiqi.