Rugovasit kundër Parkut Kombëtar, duan Komunë

Komuniteti i trevës së Rugovës e ka ndërruar pllakën. Ai nuk do ligj për Parkun Kombëtar. Me një kërkesë të re ata besojnë se do ta shuajnë krejtësisht atë ligj dhe ta bëjnë të pafuqishëm realizimin në praktikë të Parkut Kombëtar. Tashti ky komunitet kërkon komunë në vete.

Lajme

18/05/2014 11:02

Krijimi i komunës së Rugovës është thjesht një përgjigje e drejtpërdrejt kundër Parkut Kombëtar, me të cilin rugovasit asnjëherë nuk janë pajtuar dhe as që do të pajtohen, shkruan gazeta Tribuna.

Ata kanë thyer kokën mjaft si ta heqin qafe parkun dhe kanë ardhur në përfundim se themelimi i komunës i shpëton pronat e tyre private nga marrja në menaxhim prej shtetit, që do të pasonte me krijimin e Parkut Kombëtar.

“Kur të themelohet komuna, do të shuhet edhe ligji i Parkut Kombëtar dhe komuna e re do të administrojë edhe me pronat private, që përbëjnë rreth 80 për qind të territorit të trevës së Rugovës”, tha Ali Lajçi për Tribunën.

Lajçi është njëri nga përfaqësuesit e komunitetit rugovas që mundohet për këtë çështje.

Kërkesa për Komunë të Rugovës, e cila do të shkëpuste 50 për qind të territorit të komunës së Pejës, deri tash nuk ka qenë aktuale.