Rugova e do Rugovën në LDK, por pa kushte

Haki Rugova thotë se Bujar Bukoshi dhe Ukë Rugova mund të kthehen në LDK por pa vënë kushte. Sipas tij, deri më tani nuk ka ndonjë kërkesë zyrtare për kthimin e tyre. Thotë se LDK është e hapur për të gjithë kuadrot që kanë dëshirë t`i bashkohen kësaj partie.

Lajme

10/01/2014 09:39

Kthimi i Bujar Bukoshit dhe Ukë Rugovës në LDK, që aktualisht janë pjesë e listës “Dr. Ibrahim Rugova”, është i mirëseardhur por nuk duhet të ketë kushte.

Një ditë më parë, një zyrtar i “Listës Ibrahim Rugova”, Dardan Gashi, ishte shprehur se emrat e përfshirë në këtë nismë mund t’i bashkohen LDK’së, me kusht që Bujar Bukoshi së bashku me Ukë Rugovën të kenë “rol udhëheqës dhe  rol vendimmarrës bashkë me njerëzit tjerë në LDK”.

Por, Nënkryetarit të LDK’së, Haki Rugovës nuk i pëlqejnë kushtëzimet.

“Nuk jemi refuzues. I kemi dyert e hapur për të gjithë. Le të vijnë njerëzit por pa kushte. “Po vij në qoftëse më ofrohet kjo”, tek ne nuk ka ashtu. Ne e shikojmë interesin e LDK`së dhe të shtetit”, ka thënë Rugova në një intervistë për Epoka e Re.

“Nuk e kemi diskutuar brenda partisë këtë qasje ende, sepse nuk kemi ndonjë kërkesë zyrtare, nuk mund të themi diçka më shumë”.

“Fillimisht duhet ta shohim kërkesën dhe të dimë se çka kërkojnë prej nesh sepse deri më tani nuk është bërë asnjë diskutim zyrtar për këtë çështje”.

Nënkryetari Rugova është shprehur se deri më tani nuk ka pasur asnjë kërkesë zyrtare lidhur me kthimin e Bujar Bukoshit dhe Ukë Rugovës.

“Ata në një farë mënyre kanë kërkuar kthimin nëpërmjet medieve e jo në mënyrë të drejtpërdrejtë”.

“Tek pastaj mund të shohim se çfarë vendimi mund të marrim. As kryesia e as këshilli i përgjithshëm nuk kanë kurrfarë vendimi sepse nuk ka kërkesë zyrtare”.

“Në udhëheqjen partiak mund të hyhet nëpërmjet procesit zgjedhor”.

Rugova ka thënë se shumë kuadro kanë shprehur dëshirën që t`i bashkohen LDK`së.

“Ne nuk jemi si do parti të tjera që i kanë kah 15 nënkryetar, kah 70 anëtarë të kryesisë. Tek ne partia funksionon ndryshe sepse LDK`ja është parti serioze dhe procedurat për formimin e kryesisë dhe Këshillit të Përgjithshëm janë procedura të rregullta dhe demokratike”.

“Po e shihni edhe ju vet se plot kuadro po kanë dëshirë t`i bashkohen LDK`së. Jemi të gatshëm për çdo gjë që shkon në të mirë të LDK`së”.

“Të gjitha kuadrot që shprehin gatishmëri dhe vullnet t`i bashkohen LDK`së janë të mirëseardhur”, ka thënë Haki Rugova për Epokën e Re.