Rudy Giuliani, dora e djathtë e Trumpit, mik i Vuçiqit dhe Nikoliqit (Foto)

Në prill të vitit 2012, në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, Partia Përparimtare që aso kohe drejtohet nga Tomisllav Nikoliq, aktualisht president i Serbisë, printe në sondazhe.

Bota

09/11/2016 21:07

Një dorë të fortë fitores së ish zëvendësit të Sheshelit ia dha ish kryebashkiakut i Nju Jork, Rudy (Rudolph) Giuliani.

Më 20 prill të vitit 2012, Giuliani kishte arritur në Beograd me ftesë të Aleksandar Vuçiqit, aso kohë zëvendës i Nikoliq në parti, tash kryeministër i Serbisë, shkruan lajmi.net.

Rudi Giuliani sot është përfolur shumë në të gjithë botë, pas fitores së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në Amerikë. Giuliani i kishte dhënë mbështetje të fuqishme Trumpit në fushatën zgjedhore, prandaj ai pritet të jetë njeriu kryesor në kabinetin e ri të presidentit amerikan.

Giuliani është përfolur për disa poste të rëndësishme, si kryeprokuror i ri, nënpresident dhe shef i diplomacisë amerikane.

Prandaj, fitores së Trumpit në rajonin tonë më së shumti i janë gëzuar serbët, pikërisht për shkak të lidhjeve miqësore të Giulianit me Vuçiqin dhe Nikoliqin, shkruan lajmi.net.

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiq sot e ka përmendur miqësinë me Giulianin pas fitores së Trumpit.

“Aty është miku im, Giuliani, i cili e ka mbështetur projektin ‘Beogradi në ujë’ kur ishte këtu. Sigurisht se do të ketë pozitë të rëndesishme në establishmentin amerikan”, ka thënë Vuçiq. /Lajmi.net/