Rubla stabilizohet, kërcënon inflacioni me shkallë mbi 10 për qind

Rusia të enjten publikoi se kriza e valutës kombëtare, rubla, ka përfunduar, por paralajmëroi se inflacioni sipas të gjitha gjasave do të rritet mbi 10 për qind, gjë që do t’i thellojë problemet me të cilat po ballafaqohet qeveria e presidentit Putin në kapërcimin e krizës më të rëndë ekonomike që nga viti 1998.

Bota

25/12/2014 16:47

Rubla javën e kaluar sharroi në nivelin më të ulët për arsye të rënies së  çmimit naftës, që paraqet themelin e ekonomisë ruse, si dhe sanksioneve të Perëndimit për shkak të krizës në Ukrainë, me të cilat kompanive ruse u është ndaluar qasja në tregun perëndimor të kapitalit.

Mirëpo, në ndërkohë valuta ruse u përmirësua dhe ktheu një pjesë të vlerës së humbur, pas vendimeve të autoriteteve ruse për të ndalur rënien e rublës dhe për të ulur inflacionin.  

Në mesin e masave të ndërmarra janë edhe ajo për ngritjen e normës së interesit nga 10.5 në 17 për qind, kufizimi i eksportit të drithërave, si dhe masat e kontrollit të kapitalit.

“Norma e interesit u rrit për të stabilizuar gjendjen në tregun valutor… Sipas mendimi tonë, kjo periudhë ka kaluar. Rubla tash po forcohet”, ju tha të enjten ministri i Financave, Anton Siluanov deputetëve të dhomës së lartë të parlamentit rus, për të shtuar se normat e interesit do të ulen në qoftë se gjendja mbetet stabile.