RTK, thirrje partive që të ndërpresin presionin politik

Menaxhmenti i RTK-së reagon ashpër kundër presionit të madh politik që po i bëhet Transmetuesit Publik përmes formave të ndryshme nga partitë politike.

Lajme

15/04/2015 19:53

Menaxhmenti i RTK-së, përmes një komunikate për media thotë se përpjekjet e fundit të aktivistëve të Vetëvendosjes për t’u futur në objektin e televizionit publik, si dhe protesta e së shtunës e thirrur nga partitë opozitare “forcon shqetësimin se politika është duke tentuar të destabilizojë RTK-në”.

“Rasti i fundit i përpjekjes së aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje për t’u futur me dhunë në objektin e RTK-së, por edhe paralajmërimi i tri partive politike për protestë kundër RTK-së këtë të shtunë, vetëm sa i forcon shqetësimet e ngritura shumë herë nga menaxhmenti i RTK-së se politika është duke tentuar ta destabilizojë me çdo kusht transmetuesin e vetëm publik dhe më të fuqishmin në tregun medial transmetues në Republikën e Kosovës”.

Sipas menaxhmentit, “gjithashtu rasti i fundit i dëshmon pohimet e vazhdueshme të menaxhmentit për përpjekjet politike që nga brenda ta destabilizojnë RTK-në përmes manipulimit të disa punëtorëve të RTK-së”.

“RTK edhe njëherë i bën thirrje të gjithë faktorëve politikë vendorë dhe ndërkombëtarë që ta lënë të qetë transmetuesin publik dhe punëtorët e tij, dhe në vend që të tentojnë ta shkatërrojnë, ta ndihmojnë në zhvillimin edhe më të madh duke e rregulluar çështjen e financimit, të pronës dhe digjitalizimit ashtu siç bëjnë vendet demokratike”, thuhet pos tjerash në reagimin e menaxhmentit të RTK-së.