RTK pa paga, sot sërish protestë, BSPK dhe SBASHK mbështet protestën

Një tjetër protestë do të zhvillohet sot organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), aty ku thuhet se do të bëhen publik hapat e mëtejmë, përfshirë nisjen e grevës dhe bojkotit të punës, nëse situata nuk ndryshon sa i përket pagave për rreth 700 punëtorët e mediumit publik. Kjo sindikatë këtë e ka quajtur…

Lajme

13/11/2025 08:27

Një tjetër protestë do të zhvillohet sot organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), aty ku thuhet se do të bëhen publik hapat e mëtejmë, përfshirë nisjen e grevës dhe bojkotit të punës, nëse situata nuk ndryshon sa i përket pagave për rreth 700 punëtorët e mediumit publik.

Kjo sindikatë këtë e ka quajtur thirrje për mobilizim të madh, për siç kanë thënë, për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e punëtorëve të RTK-së.

“Më 13 nëntor 2025, në ora 11:15, para objektit të RTK-1, zhvillohet protesta e dytë me radhë e organizuar nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK). Kjo është një thirrje për mobilizim të madh dhe pjesëmarrje masive nga të gjithë punëtorët pa dallim sektori, pozite apo përvoje. Zëri ynë i përbashkët është forca më e madhe për të mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e punëtorëve të RTK-së. Ftojmë gjithashtu mediat e vendit që ta mbulojnë këtë protestë dhe të shprehin solidaritet me punonjësit e Radiotelevizionit Publik. Gjatë protestës së nesërme do të bëhen publik hapat e mëtejmë, përfshirë nisjen e grevës dhe bojkotit të punës, nëse situata nuk ndryshon”, thuhet në thirrjen e SPERTK për protestë.

Kjo është protesta e dytë e thirrur nga kjo sindikatë, pas asaj të 6 nëntorit që u mbajt po ashtu para hyrjes së televizionit publik.

Punëtorët e RTK-së vazhdojnë të jenë pa paga derisa data shënon 13 nëntor.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka shprehur mbështetje për protestën e paralajmëruar nga Sindikatës së Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK), e cila do të mbahet të enjten, më 13 nëntor 2025, para hyrjes, në objektin e RTK-së.

Edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) ka dalë në përkrahje të protestës që për nesër është thirrur nga Sindikata e Punëtorëve të RTK-së (SPERTK).