RTK kalon shpenzimet vjetore për 8 për qind

Menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), gjatë vitit 2014 ka tejkaluar shpenzimet e planifikuara buxhetore për 8 për qind.

Lajme

03/06/2015 15:02

Gjatë raportimit të menaxhmentit dhe bordit të RTK-së në komisionin për buxhet dhe financa është raportuar se këto shpenzime janë tejkaluar kryesisht në mallra dhe shërbime, por jo në investime kapitale

Ndërsa, pas kërkesës së komisionit për buxhet dhe financa lidhur me të dhënat për borxhet e RTK-së Mentor Shala, drejtor i përgjithshëm i RTK-së, ka arsyetuar tejkalimin e shpenzimeve duke thënë se janë përdorur për hapjen e dy kanaleve, shkruan Kosovapress transmeton lajmi.net

“Në gjysmën e dytë të vitit 2013 ne e kemi hap kanalin e dytë në gjuhën serbe një kanal i cili ka qenë obligim ligjor në bazë të ligjit të RTK. Sigurisht me hapjen e një kanali të ri duhen edhe investime të reja dhe punësimet do të thonë në gjysmën e dytë të vitit kanë shkuar në mënyrë graduale …Hapja e RTK 3 jemi munduar që në mënyrën më të vogël të mundshme të bëjmë punësime për këtë kanal”, ka thënë Shala.

Përkundër këtij arsyetimi, raporti i RTK-së ka dështuar të kalojë nga Komisioni për Buxhet dhe Financa, dhe i njëjti është do të procedohet në seancë.

Kryetari i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Naser Osmani, ka treguar se RTK ka pasur një buxhet prej 11.2 milionë për vitin 2014, ndërsa po në të njëjtin vit ka shpenzuar 12.1 milionë euro.

“Shpenzimet e RTK-së për vitin 2014 kanë qenë 12 milion e 110 mijë e 363 euro apo 108 për qind me fjalë të tjera ka një tejkalim të mjeteve të planifikuara për afër jo afër po saktë 862 mijë e 363 mijë euro apo 8 për qind…Tejkalimet kanë ndodh në paga dhe mëditje , tejkalimet kanë ndodh në mallra dhe shërbime tejkalimet kanë ndodh edhe në obligimet komunal por tejkalime nuk ka në investime kapitale, përkundrazi ka një përqindje shumë të vogël të realizuar”, ka thënë Osmani.

Por drejtori i këtij mediumi publik nuk i është përgjigjur anëtarëve të Komisionit për Buxhet dhe Financa se pse janë krijuar këto borxhe. (lajmi.net)