Rrugët e nakatosura të Prishtinës (Foto&Video)

Nëse e vizitoni Prishtinën, mund të krijoni përshtypjen se qeveria komunale e Shpend Ahmetit është duke punuar ditë e natë në përmirësimin e infrastrukturës në kryeqytet. Por nëse je banor i Prishtinës, përpara se të të shkojë mendja tek “qeverisja e mirë”, pamja e rrugëve të nakatosura të kryeqytetit të asocion me punën që bënte “qeverisja e keqe” e Isa Mustafës.

Lajme

11/09/2014 22:50

Qytetarëve u kujtohet mirë asfaltimi i rrugëve në kohën e qeverisjes së kaluar, të cilat fillonin me fillimin e  mandatit dhe përfundonin në fund të tij, siç u kujtohet edhe puna “shkel e shko” në rrugën që të çon për në lagjen “Mati I”, apo “Rrugën B”, e cila filloi të ndërtohet përpara autostradës “Ibrahim Rugova”, por që atë ditë e sot nuk ka përfunduar.  

Në vend që të studiohet plani, të hidhet në letër çdo detaj, dhe pastaj të fillojë implementimi i tij nga A deri në Zh, pushteti i kaluar i linte shtyllat përmes trotuarit, sikurse ato në rrugën që të çon në “Mati I” apo e bënte asfaltimin e rrugës, dhe më pas i kujtoheshin (tenderët) punët e pakryera, ku kërkohej të vendoseshin gypat e rinj të kanalizimit apo të ujësjellësit.

Prandaj, sot, qytetarët e kanë të vështirë të besojnë se parimet e Vetëvendosjes nuk do të vyshken, pasi shumë nga rrugët e Prishtinës që janë prerë e sakatosur përpara një muaji, vazhdojnë të duken ashtu të nakatosura mes për mes.

Kryeqytetasit kanë frikë se edhe gjatë mandatit të Shpendit, shumica e të cilëve ia dhanë votën për të ndëshkuar qeverisjen e Mustafës, do të baltosen e pluhurosen sa herë që të dalin nga dera e banesës apo shtëpisë.

Por qeveria komunale e Vetëvendosjes i siguron qytetarët se gjithçka është nën kontroll, se rrugët do të kthehen në gjendjen e mëparshme, sapo të përfundojë projekti më i madh i realizuar ndonjëherë, e që ka të bëj me furnizimin e qytetarëve me ujë.     

“Ky është projekti më i madh për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm të qytetareve të Prishtinës, i filluar nga ‘KUR Prishtina’ në bashkëpunim dhe bashkëfinancim me qeverinë gjermane, përmes Bankës gjermane për zhvillim (KFW), Komisionin Evropian, Qeverinë e Kosovës dhe Komunën e Prishtinës. Ky projekt do t’i ketë tri faza të zhvillimit, ndërsa tani në përfundim është faza e dytë”, ka thënë Fitore Pacolli, shefe e kabinetit të kreut të Komunës.

“Kompania e ujësjellësit e ka marrë lejen në Drejtorinë e Infrastrukturës së Komunës së Prishtinës me kushtin që, pas përfundimit të punimeve, rrugët të kthehen në gjendjen e mëparshme, gjë që parashihet edhe në kontratë. Por rrugët nuk mund të asfaltohen pa përfunduar tërë instalimi i gypave dhe pa u testuar se çdo gjë është në rregull. Pasi të përfundojë instalimi dhe të kryhet testimi ‘KUR Prishtina’ obligohet të kthejë të gjitha rrugët në gjendjen e mëparshme”.

Pacolli ka thënë se Komunës i është ofruar edhe plani dinamik, ndërsa inxhinierët e Drejtorisë së Infrastrukturës në vazhdimësi, sipas saj, janë duke i mbikëqyrur punimet dhe në rastet kur vështirësohet qarkullimi i lirë, kërkohet nga kompania të intervenojë menjëherë, sapo përfundon një pjesë dhe fillon një tjetër, varësisht nga fazat që janë të përfshira në projekt.