Rruga pa kthim

Për Isa Mustafën, Istogu është “fryma dhe shpirti” i LDK’së. Sipas tij, kjo parti është në rrugë pa kthim për ta qeverisur Kosovën. Ndërsa Haki Rugova premtoi ngritjen e Memorialit Ibrahim Rugova në Istog.

Lajme

10/10/2013 17:04

Isa Mustafa vazhdon ta promovojë ambicien e tij për ta qeverisur Kosovën duke marrë pjesë në fushatën për zgjedhjet lokale.

Sot në Istog, i entuziazmuar para një mase të madhe njerëzish, Mustafa tha se LDK është futur “në një rrugë pa kthim” për ta marrë pushtetin qendror.

Ai i ka quajtur këta simpatizantë si “shpirti dhe fryma” e LDK’së dhe me elegancë retorike u ka thënë atyre se nuk kanë llogari për të dalë dy herë në votime, prandaj kërkoi fitore pa balotazh për Haki Rugovën.

“Nuk po ju shihet skaji, kjo është krenaria e LDK’së”.

“Për Haki Rugovën nuk është e vështirë të bëhet Kryetar, sepse ju ka juve, por nuk është lehtë të jetë Kryetar sepse ka përgjegjësi. Po të mos kishte punuar mirë, ju nuk do të ishit këtu”.

“LDK është nisur në një rrugë të pakthim të fitores, në një rrugë të ndërtimit të shtetit dhe në një rrugë të vënies së kulmit të veprës së Presidentit tonë historik Ibrahim Rugova”.

“Nuk do të ndalemi këtu. Ne do ta fitojmë Kosovën, do të qeverisim në mënyrë të përgjegjshme. Po shoh kaq shumë të rinj dhe kaq shumë besnikë të LDK’së. Kjo flet për kohezion të madh brenda partisë por edhe për kohezion me qytetarin”.

Ndërsa Haki Rugova është shprehur se LDK ka arritur që me punë ta dëshmojë se e meriton ta qeverisë Istogun.

“Gjatë këtij mandati 4 vjeçar, Komunën e Istogut do ta bëjmë edhe më atraktive për të jetuar në të”.

“Mundemi, dimë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë realitet vizionin tonë që Istogu të jetë qytet modern me ambient tërheqës për investime”, tha Rugova.

Ai ka thënë se në planin e LDK’së për komunë e Istogut është edhe ndërtimi i Memorialit të Presidentit Ibrahim Rugova në parkun e qytetit.

“Nëse votoni LDK’në, do ta votoni vizionin e Presidentit Ibrahim Rugova. Istogu është inspirues i fitores së LDK’së në nivel qendror”, ka thënë Rugova.