Rrjedhin edhe kopje të testeve të maturës
Nxënësit që po i nënshtrohen sot testit të dytë të maturës, kanë arritur që të dërgojnë përmes telefonit kopje të testeve.

Lajme
(E plotësuar)
Një maturant, përmes internetit ka kërkuar ndihmë nga jashtë për pyetjet që kanë qenë të shkruara në test, duke e dërguar një kopje të testit. Lajmi.net më parë kishte arritur të ketë edhe foto që janë bërë gjatë fillimit të këtij testi.
Ndërkohë, prezenca e shtuar e vëzhguesve, duket se nuk ka arritur që të ndalë të gjitha format për të bërë keqpërdorime gjatë kohës së testit.
——————————
Maturantët arrijnë të bëjnë foto brenda sallave
Një foto e bërë nga një nxënës gjatë mbajtjes së testit të maturës në njërën nga shkollat e Prishtinës, vë në dyshim sigurinë e proklamuar të MASHT-it gjatë këtij testi.
Kjo foto tregon neglizhencën e sigurimit që po e vëzhgojnë procesin e testit dhe zhdërvjelltësinë maturantëve.
Ndërkohë, në mëgjesin e sotëm, pjesëtarë të shtuar të Policisë së Kosovës dhe të kompanive të sigurimit fizik, janë parë duke qëndruar pranë dhe brenda shkollave, ku po mbahet testi i dytë i maturës.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) i ka bërë të gjitha përgatitjet për organizmin e pjesës së dytë të Provimit Shtetëror të Maturës, i cili pritet të mbahet sot ( e shtunë).
Kryetari i Divizionit për Vlerësim dhe Standarde në MASHT, Mustafë Kadriu, ka thënë se MASHT i ka përgatitur testet të cilët në mesnatë janë dorëzuar nga kompania e kontraktuar për shtyp, rreth orës 4:00 të mëngjesit ato janë paraparë që të barten nëpër qendrat e testimit dhe deri në ora 9:00 të mëngjesit të ditës së sotme të gjitha kutitë e testimit duhet të jenë nëpër qendrat përkatëse.
Kadriu u ka bërë thirrje të gjithë nxënësve që të mos kenë me vete asgjë përveç lapsit dhe ujit pasi ka thënë se çdo telefon celular apo mjet tjetër i mundshëm për kopjim, nxënësin do ta nxjerr nga provimi dhe i njëjti do të dënohet duke ia pamundësuar edhe të drejtën e provimit për 3 deri në 5 vite.
Në ditën e shtunë do të jenë 3 mijë administrues-pjesëtarë të sigurimit civil të cilët janë kontraktuar nga MASHT, në secilën qendër do të jetë drejtori i shkollës, menaxheri i qendrës, një pjesëtarë i komunës si dhe pjesëtarët e sigurimit.
Testi ka filluar në orën 10:00 në rreth 400 qendra, do të zgjasë 180 minuta dhe përmban 80 pyetje.
Rezultatet e tij pritet të publikohen më 7 korrik derisa çdo nxënës që i ka 100 nga 200 pyetje të sakta do ta kaloj atë me sukses.