Rritje joproporcionale e pagave, sipas LDK

Hykmete Bajrami thotë se me rritjen e pagave prej 25 për qind, Qeveria ka mashtruar personat me aftësi të kufizuara, pensionistët dhe familjet me asistencë sociale. Thotë se më së shumti kësaj ia shohin hajrin deputetët e ministrat, profesorët e arsimtarët.

Lajme

11/03/2014 21:16

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se rritja e pagave për punëtorët e sektorit publik, e zyrtarizuar sot nga Kryeministri Hashim Thaçi, është joproporcionale.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga LDK, Hykmete Bajrami, në një intervistë për lajmi.net, thotë se jo të gjitha kategoritë e buxhetorëve kanë përfituar në mënyrë të njëjtë nga ky vendim.

“Kemi parë që është një ngritje shumë disproporcionale. Faktikisht çka ka ndodhur është se ju është rritur paga atyre që i kanë pasur pagat e larta dhe është manipuluar me ndjenjat e atyre të cilat i kanë pagat e ulëta ose të cilët janë në pensione ose të cilët janë me asistencë sociale”.

“Si e kemi parë ne, pensionistët do të marrin vetëm 15 euro më tepër, personat me aftësi të kufizuar vetëm 15 euro më tepër, familjet me asistencë sociale vetëm 15 euro më tepër, shërbyesit civil marrin mesatarisht 73 euro më tepër”.

“Aty ku është ngritur, domethënë kush ka përfituar nga ngritja e pagave janë deputetët të cilët edhe ashtu i kanë pagat e mëdha. Kanë përfituar nga kjo rritje në shumë prej 375 eurove. Ministrave u është rritur paga për 300 euro, profesorëve 213 dhe arsimtarëve 113 euro”.

Bajrami e ka quajtur këtë ngritje të pagave si shpërblim i Qeverisë për njerëzit rreth vetes, duke paraqitur shtresën e atyre me të cilët, sipas saj, u mashtrua.

“Është mashtruar edhe me pensionistët edhe me personat me aftësi të kufizuara edhe me familjet me asistencë sociale. Me të gjithë këta sepse kanë një ngritje shumë të vogël prej 15 eurove, duke filluar nga paga që ata e kanë të ulët, dhe kjo ngritje nuk do të ketë kurrfarë ndikimi në përmirësimin e kualitetit të jetës së tyre”.

“Përkundrazi, nga kjo rritje, do të kemi një shtytës të ngritjes së çmimeve, ku për këto shtresa që kanë përfituar një rritje shumë të ultë, faktikisht i gjithë ndikimi do të jetë më shumë negativ sesa pozitiv”.

Por, a pritet të ndodhë inflacioni dhe sa mund të jetë ai?

“Faktikisht inflacioni pritet të ndodhë, ne do të jemi dëshmitarë që do të shohim sigurisht lëvizje të çmimeve, sepse bizneset do të mendojnë se është ngritur fuqia blerëse e konsumatorëve dhe kjo vetëm pritet të ndodhë. Nuk ka analiza sa do të ketë rritje, por sigurisht do të ketë ngritje të çmimeve”, tha Deputetja Hykmete Bajrami.