Rritje fizike të votës

Ramush Haradinaj thotë se AAK ka rritje të votës, pothuajse ngjashëm si në vitin 2009. Pejën e quajti befasi, ndërsa Gjakovën beson se do ta fitojë në balotazh. Ai përshëndeti mbarëvajtjen e zgjedhjeve, duke i cilësuar ato si më të mirat.

Lajme

04/11/2013 01:06

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka deklaruar ngritje të votës, por e befason rezultati në Komunën e Pejës.

Në konferencën e parë pas përfundimit të votimeve, Ramush Haradinaj ka përshëndetur mbarëvajtjen e zgjedhjeve, duke i vlerësuar ato si më të mirat që Kosova ka pasur deri më tash.

Haradinaj tha se AAK vazhdon garën në 8 komuna, ku, sipas tij, në shumicën e tyre pret të dalë fituese.

“Duke e hequr Deçanin që është përmbyllur e para, gara vazhdon edhe në 8 komuna. Besoj se të gjitha dinamikat çojnë te fitorja e Aleancës në shumicën e këtyre komunave, mos të them në të gjitha se është herët”.

“Sa i përket numrit të votës, Aleanca ka rikthyer votën e vitit 2009, pra ka votë fizike të rritur, por kjo mund të shpjegohet edhe me rritjen e pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhje”.

“Në Gjakovë kemi situatën atë që kemi pritur, pra prijmë. Është një fitore por kishim pas dëshirë mos ta kishim raundin e dytë “.

“Në Pejë është një befasi. Mendoj se është një neglizhence, një komoditet i strukturave tona atje, duke menduar se kanë punë të kryer. Por, kemi edhe befasi të mira në komuna tjera si në rastin e Obliqit, ku partia e parë na ikur vetëm për 200 vota”.

Haradinaj tha se për AAK ka rritje të votës, por nuk e konsideron një rezultat të kënaqshëm siç do të kishin dëshiruar ta kishin.

“I pashë të gjitha prononcimet e partive tjera deri tash, lum ata që po festojnë edhe para kohe.”, ka thënë Haradinaj.

“E kam vështire të flas tash, sepse është herët, por ua uroj të gjithëve rezultatin e arritur, të gjithëve që kanë marrë pjesë në zgjedhje. Mirëpo, ne s’kemi ende rezultate për kryetarë të komunave e lërë më për asamble”.

“Sa i përket zgjedhjeve, duhet të them se kanë qenë më të mirat që i kemi pasur deri më tash në Kosovë, duke përjashtuar situatën në Veri. Është një situatë jo e lehtë për Kosovën, shpresojmë që të gjithë mekanizmat do të kenë kujdes të planifikojnë zgjedhje të rregullta, shpresojmë në raundin e dytë në Veri”.