Rritja e pensioneve prej 20%- Nga opozita thonë se Qeveria pati buxhet për më tepër, por këtë e bëri sa për fushatë

Qeveria e Kosovës mori së fundi një vendim që lidhet me financat e shtetit, por edhe me kuletën e secilit pensionist. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave Hekuran Murati dje në një konferencë për media kanë njoftuar për një rritje të pensioneve që financohen nga shteti për 20%. Pensionet që do të…

Lajme

08/10/2024 21:00

Qeveria e Kosovës mori së fundi një vendim që lidhet me financat e shtetit, por edhe me kuletën e secilit pensionist.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministri i Financave Hekuran Murati dje në një konferencë për media kanë njoftuar për një rritje të pensioneve që financohen nga shteti për 20%.

Pensionet që do të rriten nga tetori janë: Pensioni bazik i moshës, pensioni kontributpagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për personat e verbër, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, familjar, invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës.

Kurti gjithashtu ka njoftuar dje se pensionet e përcaktuara me Ligjin për kategoritë e luftës, do të rriten për 20 për qind, por nga muaji janar 2025.

Ky ligj përfshin familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre.

Kurti tha se para se të rriten këto pensione, nevojitet “ndryshimi në tabela që është pjesë e ligjit si shtojcë”.

Kjo rritje e pensioneve dhe data kur kjo rritje është bërë publike ka nxitur reagime të shumta nga opozita dhe njohësit e ekonomisë.

Rritje e vogël dhe fushatë politike kanë qenë cilësimet kryesore që i janë dhënë nga opozita pas vendimit të djeshëm të Qeverisë Kurti.

Madje deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila e njeh mjaftë mirë këtë fushë në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se kjo rritje e pensioneve prej 20% është e pamjaftueshme derisa shporta bazë e konsumit ka pësuar rritje të çmimeve mbi 50 për qind.

Ajo ka thënë se janë dy arsye pse ky vendim u mor pikërisht dje, shkruan lajmi.net.

“Janë dy arsye pse vendimi u mor pikërisht dje: E para për të zhvendosë vëmendjen nga vendimi i Qeverisë për të heqë bllokadën mallrave nga Serbia dhe normalisht arsyeja kryesore janë zgjedhja – tentativa me ble vota. Për shkak se jemi në fushatë zgjedhore ditëve në vijim do të ketë edhe rritje të pagave, por duhet të thuhet zëshëm se rritja e pagave, pensioneve dhe shpërndarja taksave të qytetarëve në çfarëdo forme, në kohë fushate elektorale, është tentativë me ble vota, është skemë e korrupsionit publik, sepse përdorë taksat e qytetarëve për të krijuar avantazhe për partinë në pushtet duke i vënë partitë tjerat në pozitë jo të barabartë gjatë garës elektorale”,tha Bajrami për lajmi.net.

Ajo gjithashtu tha se qytetarët tashmë e dinë sa brengoset Kurti për qytetarët.

“Besoj fort se qytetarët tanimë e dinë se sikur Albini Kurti të brengosej për qytetarë, ai pensionet dhe pagat do t’i indeksonte për normën e inflacionit që që në vitin 2022, por kjo nuk ndodhi sepse atëherë nuk kishte zgjedhje”, ka thënë Bajrami.

Kurse deputeti nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj për lajmi.net ka thënë se kjo rritje e pensioneve është tallje për pensionistët dhe sipas tij kjo nuk është rritja ideale që duhet të ndodhte.

“Rritja 20% nuk është rritja ideale që duhet të ndodhte, sepse pensionistët për 4 vite janë ballafaquar me rritje 20-30% të produkteve bazë të jetës, prandaj situatë dhe vlera është e njëjtë për ta në kuptimin e fuqisë blerëse, madje ata me këtë rritje do të blejnë më pak se para disa viteve”, ka thënë Lekaj.

Ai ka konsideruar se Qeveria Kurti ka fonde të mjaftueshme për rritje më të madhe të pensioneve.

“Po, Qeveria Kurti ka hapësirë dhe fonde të mjaftueshme për rritje më të madhe, por që nuk ka interes më të madh ti përkrahë pensionistët sepse nuk i vlerëson si votë të madhe elektorale. Rritja e pensioneve mban erë të zgjedhjeve dhe jo arsyetim të drejtë e të nevojshëm. Kjo qeveri harroi për 4 vite kategorinë e skemave sociale, dhe vetëm tani i kujton, për ta shfrytëzuar si momentum”, ka thënë Lekaj për lajmi.net.

E deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka konsideruar se pas vendimeve të tilla, Kurtit populli do t’ia tregoj vendin me 9 shkurt.

“9 shkurti po vjen më shpejt nga sa e kishe menduar, dhe sigurisht spiranca jote e vetme janë gënjeshtrat që as ti vetë nuk mund t’i besosh. Më 9 shkurt 2025, ky popull që ti e përbuzë,
do t´jap një mësim jete që nuk ke për ta harruar kurrë”, ka shkruar Musliu e cila për lajmi.net ka thënë se nuk do t’i shkoj pas vendimeve të tij për t’i komentuar.
Në lidhje me vendimin e djeshëm u deklarua edhe kreu i Shoqatës së Pensionistëve, Nijazi Gashi, i cili tha se rritja prej 20 për qind është e pamjaftueshme dhe ka paralajmëruar protesta.

“Nuk po pajtohemi me këtë rritje. Nuk është e mjaftueshme. Ne kemi kërkuar që kjo rritje reale, në bazë të rritje së pagave e cila ishte bërë dhe inflacionit. Ju e dini që rritje nuk ka pasur që pesë vjet.  Të premten do ta kemi edhe një takim me anëtarësinë dhe kryetarët e degëve, diku parashihet të jenë të pranishëm diku 100 persona dhe do të diskutojmë. Nëse ka përkrahje ne do të organizojmë edhe protesta. Aty do të jenë edhe përfaqësuesit e KDI-së”, ka thënë Gashi.

Pensionistët e Kosovës nga muaji tetor në bankat e tyre do të pranojnë rritjen prej 20% ndërkaq përfituesit e pensioneve për kategoritë e luftës pensionet me rritje do t’i marrin nga tetori i 2025-tës./Lajmi.net/