Rritet ndriçimi i hapësirave publike në Prishtinë

Lagjet, parkingjet, hapësirat publike të cilat dikur ishin të pandriçuara në Komunën e Prishtinës, tani nuk janë të tilla, pasi që për dy vite mandat qeverisja e kryetarit Shpend Ahmeti ka arritur që të ndriçoj rreth 80 kilometra rrugë të hapësirave publike, e gjithë kjo u bë me projektin për zgjerimin të ndriçimit në Komunën e Prishtinës.

Lajme

07/02/2016 11:32

Rrugët që të shpien në Emshir, në Veternik, në Matin 1, në Arbëri e shumë të tjera rrezikonin sigurinë e qytetarëve, aty mbizotëronte errësira dhe ulërima e qeneve endacakë, e shumë herë u rrezikuan edhe nga të njerëzit dashakeq, por Komuna e Prishtinës ka arritur që këto rrugë urbane t’i ndriçojë. Nuk janë vetëm rrugët urbane të cilat u ndriçuan, të ndriçuara janë edhe rrugët e shumta nëpër fshatra.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu tha për KosovaPress se Komuna e Prishtinës ka marr vendim që të jenë më agresiv në zgjerimin e ndriçimit publik, por veç kësaj ai tha se do të jenë agresiv edhe në mirëmbajtjen e ndriçimit ekzistues publik.

“Në fillim të mandatit ne kemi shpërfaqë idenë tonë që hapësirat publike në Komunën e Prishtinës, parqet, rrugët hapësirat, lagjet e ndryshme duhet të jenë në shfrytëzim, në benifit të qytetarit, në të mirën e qytetarit dhe si hapësira të tilla ato nuk mund të shfrytëzohen, se ndriçimi është jo adekuat, për arsye të sigurisë e të ndryshme. Dhe kemi marr vendim që të jemi më agresiv në zgjerimin e ndriçimit publik, por në të njëjtën kohë edhe më agresiv në mirëmbajtjen e ndriçimit ekzistues publik. Në vitin e parë të qeverisjes, në vitin 2014 kemi bërë zgjerim prej 36 kilometrave përafërsisht. Dhe në vitin e dytë të qeverisjes i kemi bërë gati 50 kilometra zgjerim të ndriçimit publik. Ideja e gjithë këtij zgjerimi të ndriçimit publik është fare e thjeshtë. Hapësirat në qytetin e Prishtinës duhet ndriçuar për shumë arsye”, ka treguar Sejdiu për KosovaPress.

Ndriçimi publik ka për synim sigurinë e qytetarëve dhe ndër tjera bëhet edhe për shfrytëzimin e hapësirave publike nga qytetarët, pasi që këto hapësira në orët e vona të mbrëmjes po mbesin të pashfrytëzuara, e kjo e ka vetëm një arsye rrezikshmëria e errësirës.

Nuk mund të flitet për një qytetet të mirë organizuar nëse nuk ka ndriçim publik, kështu e thotë Sejdiu. Madje nënkryetari i Komunës së Prishtinës thotë për KosovaPress se nëse nuk ka ndriçim publik nuk mund të flitet për një qytet pa krim.

Synimi i qeverisjes së tanishme në Komunën e Prishtinës, është që gjatë mandatit të tyre të një përqindje e madhe e rrugëve të Prishtinës, duke përfshirë ato pjesë rurale dhe urbane të jenë të mbuluara me ndriçim publik.

“Ndriçimi publik është edhe shërbim, sepse nuk mund t ë flasim për një qytet të mirë të organizuar, pa krim me hapësira publike të mira, pa ndriçim publik dhe kjo është një diçka që do të vazhdojë edhe në vitet e ardhshme, edhe në vitin 2016, edhe në vitin 2017, pra për gjatë gjithë mandatit tonë ne do e zgjerojmë ndriçimin publik, dhe e kemi parë që qytetarët po e mirëpresin këtë dhe sivjet gjithashtu e kemi plan zgjerimin publik… Synimi jonë është që në fund të mandatit, një përqindje e madhe e rrugëve të Prishtinës të jetë e mbuluar me ndriçim publik.”, tha Sejdiu.

 

Ai theksoi se kanë edhe analizën e vitit 2016/2017, ku përmes saj do të mund të rishikojnë mundësinë e kursimeve të Komunës së Prishtinës sa i përket faturës së energjisë elektrike dhe rrjedhimisht mjetet e mbetura të shfrytëzohen për zgjerim tutje të ndriçimit publik.

Në ndriçimin e hapësirave p ublike pati edhe rrugë të cilat krijuan vështirësi në ndriçimin e tyre, pasi që në ato hapësira kishte rrugë në mes të cilat qenë të pandriçuara.

“Kryesisht rrugët kryesore kanë qenë të ndriçuara, pra rrugët kryesore në lagjet si Dardania, Ulpiana, Bregu i Diellit këto që janë më të mëdha. Por kemi pasur telashe me rrugët dytësore, pra rrugët në lagje, pjesa prej Bregut të Diellit deri në Xhambaz, deri në Velani, ajo hapësira ka shumë rrugë në mes të cilat kanë qenë të pandriçuara dhe ato janë hapësira që shfrytëzohen prej banorëve, i kemi ndriçuar në Kodër të Trimave të njëjtat, në fshatra të ndryshme njëjtë, në Prugoc, Besi, në Barilevë. Kemi pas lagje të shumta të pandriçuara apo i gjithë fshati ka qenë i pandriçuar, përveç rrugës kryesore të fshatit…Ne kemi vendos që të shkojmë rrugë për rrugë, lagje për lagje që të sigu rohemi që çdo rrugë e cila ka numër të banorëve të caktuar të ketë ndriçim dhe kjo ka qenë një prej telasheve kryesore, pra rrugë dytësore në lagjeve të ndryshme”, tha Sejdiu.

Por nuk janë vetëm rrugët ato të cilat u ndriçuan. Në Komunën e Prishtinës u ndriçuan edhe 8 parkingje.

Lidhur me hapësirat e pandriçuara brenda kampusit universitar e cila tani po shfaq një rrezikshmëri për kalimtarët në orët e mbrëmjes, Sejdiu thotë se kjo hapësirë e cila shfrytëzohet nga Universitetit i Prishtinës, të shndërrohet në një park qendror të qytetit duke e lidhur edhe me sheshin.

KosovaPress ka vizituar nga afër hapësirat e ndriçimit publik në Komunën e Prishtinës. Se zgjerimi i rrjetit për ndriçim publik është duke u rritur e thotë edhe udhëheqësi i sektorit për shërbime publike, Habib Qorri.

“Shihet se zgjerimi i ndriçimit është duke u rritur çdo ditë e më tepër, dhe kjo njëkohësisht përveç asaj që ofrohen kushtet shumë më të mira për qytetarët dhe kushteve komode edhe në aspektin e sigurisë, mirëpo në anën tjetër kemi edhe një kosto në aspektin e mirëmbajtjes. Mirëpo sistemi i ndriçimit që është instaluar në këto vitet e fundit është kryesisht sistem efecientë i cili edhe në aspektin e shfrytëzimit të energjisë elektrike është shumë më pak i kushtueshëm. Edhe pse kaq shumë është rritur rrjeti i ndriçimit, kostoja në aspektin e shpenzimit të energjisë veç duket në fatura që është duke rënë, dhe ne jemi duke vazhduar edhe në këtë vit, ku rreth edhe 30 km planifikojmë por jemi në kalkulim të asaj në kuadër të buxhetit që kemi në këtë vit”, tha Qorri për KosovaPress.

Derisa rritet ndriçimi i hapësirave publike, po rritet edhe numri i kresave të qytetarëve. Qorri ka treguar se kërkesat e qytetarëve janë shtuar, pasi që ata kanë parë që vitet e fundit është bërë investim i madh në zgjerimin e ndriçimit./kosovapress