Rrëzohet amendamenti për mos-anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Europian ka votuar paraditen e së martës draft-rezolutën për Shqipërinë, e cila përfshirë nisjen e shpejtë të negociatave, nëse vendi përparon mjaftueshëm me pesë prioritetet kyçe dhe zhvillon dialog politik të qëndrueshëm.

Lajme

14/04/2015 12:09

Draft-rezolutës së hartuar nga raportuesi Knut Fleckenstein, i janë shtuar disa amendamente, ndërsa debati i filluar rreth saj një ditë më parë ka përfunduar sot.

Burime të Top Channel nga Brukseli bëjnë me dije se kjo draft-rezolutë u miratua nga Komisioni i Jashtëm me 51 vota pro dhe tre kundër.

Vlerësimi i raportuesit Fleckenstein për Shqipërinë ishte “gjysmë gote”, sidomos sa i takon luftës kundër krimit të organizuar.

Nga 192 amendamente, rreth 140 prej tyre u grupuan në 16 amendamente kompromisi, nëntë të tjera u quajtën të pranueshme nga raportuesi, ndërsa u rrëzuan amendamentet e Frontit Nacional dhe eurodeputetëve të tjerë ekstremistë mbi mos-anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.