Rrëzimi i Qeverisë është i padiskutueshëm

Burim Ramadani thotë se mocioni për rrëzimin e Qeverisë pritet të finalizohet javën e ardhshme. Ai bëri të ditur se janë mbajtur takimet me Shefat e GP të LDK'së dhe Vetëvendosjes, për t'i koordinuar qëndrimet. Sipas tij, Qeveria Thaçi do të shkojë në shtëpi.

Lajme

13/02/2014 23:20

Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Burim Ramadani, beson se mocioni i votëbesimit kundër Qeverisë do të mund të finalizohet javën tjetër.

Në një intervistë në Interaktiv të KTV’së, Ramadani tha se sot kanë filluar konsultimet me Shefat e Grupeve Parlamentare të LDK’së dhe Vetëvendosjes, në mënyrë që të koordinojnë qëndrimet dhe veprimet e tyre.

“Sot Ardian Gjini është takuar veç e veç me Shefat e Grupeve Parlamentare të LDK’së dhe Vetëvendosjes, për të diskutuar rreth kësaj nisme”.

“Jemi të interesuar që kjo nismë të jetë veprim i opozitës së bashkuar, për ta ndalur këtë gjë negative që po ndodh në Kosovë”.

“Në parim, kemi marrë mirëkuptim dhe mbështetje”.

“Kjo është një çështje që do të përfundojë në koordinim të plotë të opozitës në javën e ardhshme. Sepse, besoj fuqishëm se java e ardhshme është përcaktuese për atë që definitivisht kjo Qeveri të shkojë”.

“Synimi ynë është që t’i japim fund kësaj agonie institucionale”.

Deputeti Burim Ramadani, në vijim të bisedës së tij në Interaktiv të KTV’së, ka shpjeguar se mocioni po bëhet sepse ka një ngërç politik.

Ai thotë se AAK nuk do të kërkojë nënshkrimet e deputetëve të PDK’së, njësojë sikurse kishte bërë AKR në vitin 2010.

“E para, Kosova ka nevojë për një ndryshim rrënjësor”.

“Jemi të bindur se për këtë ndryshim rrënjësor definitivisht do të ketë mbështetje një nismë e tillë, që është hapi i parë”.

“Ne si AAK nuk do të kërkojmë nënshkrimet e deputetëve të PDK’së, sepse këtë e ka bërë AKR në vitin 2010”.

“Ne nuk kërkojmë mbështetje e PDK’së, por kërkojmë mbështetje tek deputetët që duan ndryshim rrënjësor”.

Burim Ramadani mendon se rrëzimi i Qeverisë është i padiskutueshëm.

Po ashtu, beson fuqishëm se AAK do të dalë e para në zgjedhje.

“Rrëzimi është i padiskutueshëm dhe mocioni është mënyra e vetme që sa më shpejt ta çojmë në shtëpi me këtë Qeveri”.

“Ne do të fitojmë mjaftueshëm që të jemi të parët që të qeverisim Kosovën. Do të jemi të parët”.

Për Burim Ramadanin, Ramush Haradinaj për postin e Kryeministrit është i pakonkurrencë.

Ai thotë se AAK do të bëjë koalicion me të gjithë ata që janë për një ndryshim rrënjësor.

“Bashkëpunim me cilëndo parti politike. Janë disa parime krejt bazike, dhe themelorja është ndryshimi rrënjësor në Kosovë. Për njerëzit që besojnë në këtë ndryshim, se ky vend mund të funksionojë, ka hapësirë për bashkëpunim”.

“Unë po them se qeverisja e ardhshme do të jetë e Aleancës. Jemi të interesuar për ndryshim rrënjësor dhe do të jemi me ata që nuk kanë qenë në pushtet”.

I pyetur se a lë kjo të nënkuptohet se nuk do të ketë koalicion me PDK, Burim Ramadani ishte shumë i qartë.

“Ashtu kuptohet dhe ashtu është”.