Rrëzimi i një muri dhe ngritja e një fati

Liria dhe shteti i Kosovës janë gjithsesi pjesë e këtij rrëfimi të madh politik dhe historik, që nisi tridhjetë vjet më parë në Berlin me rrënimin e Murit të Berlinit.

Opinion

07/11/2019 11:24

Shkruan: Blerim Shala

Në tridhjetë vitet e fundit të historisë së kësaj Bote, dy datat dhe ngjarjet kufitare dhe vendimtare tashmë janë të njohura për të gjithë, dhe ato shfaqen fare shkurt, me katër numra, si 9/11 dhe 11/9.

11/9, është 9 nëntori i vitit 1989-të, kur në Berlin nisi rrënimi i Murit, ndërsa 9/11 është 11 shtatori i vitit 2001, kur në New York u rrëzuan Kullat Binjake.

Këto ditë do të shënohet tridhjetë vjetori i asaj kthese të madhe historike dhe politike, në qytetin të cilit i ra hise të shënojë, me rënien dhe ngritjen e tij të madhe, fundin e dy luftërave të mëdha: Asaj të Dytës Botërore (në majin e vitit 1945-të), dhe kësaj të quajtur ‘Lufta e ftohtë’  (në nëntorin e vitit 1989).

Distanca kohore pra nga kjo ngjarje vendimtare për Evropën dhe Perëndimin  (dhe në fakt, për gjithë Rruzullin Tokësor), është vetëm tri decenie. Nga pikëshikimi historik, kemi të bëjmë me fare pak kohë. Por, realisht, distanca politike ndaj prishjes së Murit të Berlinit, pas të të cilit nisi zhbërja e një Rendi Ndërkombëtarë që ishte në fuqi për 44 vjet të plota, është të thuash identike me atë të rënies së Perandorisë Romake  (Perëndimore), në shekullin e pestë. Aq shumë ka pasë ngjarje dhe zhvillime në ndërkohë, saqë nuk ka mbetë gjë nga ai triumfi i madh i Perëndimit politik ndaj Lindjes politike. Zatën, nuk ka farë atmosfere ngazëllyese në Bashkimin Evropian, i cili si projekti më i suksesshëm historik, politik dhe ekonomik i Evropës në historinë e saj, si garanti i paqes dhe prosperitetit  (së bashku me Aleancën Veri-Atlantike), ishte konfirmimi më i mirë i mundshëm i rezultatit madhor të shndërrimit të Murit të Berlinit në gërmadha.

Ai 11 shtatori i vitit 2001, i sulmit terrorist mbi Amerikën, që ndodhi pra as dymbëdhjetë vjet pas disfatës epokale të Komunizmit, ktheu mbrapshtë shumë procese në Botë, mëdyshi Globalizmin që ishte ajo ‘dobia kolaterale’ e ndryshimit të madh që nisi në Berlin, riktheu fushëbeteja identitare të bazuara në fe, në kulturë dhe në etni, vërtetoi që nuk është rendi i ‘Fundit të Historisë’, siç u mendua dhe u shpall në Amerikë dhe në Evropë pas vitit 1989-të.

Çfarë shohim sot në politikën evropiane, perëndimore por në masë të madhe, edhe në gjithë Botën, është një përzierje e çuditshme, sa i përket pasojave dhe zhvillimeve politike, në mes të 9/11 dhe 11/9, e cila si rezultat të vetin kryesor e ka një tranzicion ndërkombëtarë, prej një Rendi unipolar Amerikan, kah një Rend shumëpolar, në të cilin nuk do të ketë më adresa të qarta të garantimit të sigurisë ndërkombëtare.

Shqiptarët në Kosovë, por edhe kombi shqiptar në përgjithësi, që prej largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani, nuk kanë pasë ngjarje më të rëndësishme për ri-gjetjen e fatit të vet, se sa rrëzimi i Murit të Berlinit.

Kjo ngjarje, çeli fatin e ri për Kosovën, për Shqipërinë, për shqiptarët në përgjithësi.

Ne në Kosovë, 9 nëntori i vitit 1989-të, do të na zinte të zhveshur prej çdo pushteti, por edhe nga çdo iluzion i mundshëm sa i përket bashkëjesesës sonë në një shtet të përbashkët, çfarë asokohe ishte RSFJ.

Nuk kishim Kuvend dhe Qeveri, nuk kishim institucione të mirëfillta.

E tashmja dhe e ardhmja e shqiptarëve të Kosovës trajtohej në kafene dhe në restorante prej një dyzine intelektualësh, shkrimtarësh dhe gazetarësh.

Të tillë çfarë ishim, nisëm një rrugëtim të rëndë dhe të mundimshëm historik dhe politik, i cili na bëri fitues të mëdhenj, mbi të gjitha, sepse kuptuam, shumë më mirë se sa politikanët serbë, se sa shoqëria serbe, çfarë kishte ndodhë në Berlin dhe në Evropë.

Historia na kishte bërë humbës, disa herë gjatë Shekullit XX, na ofronte tani një mundësi për ta ndryshuar një herë e përgjithmonë këtë fat.

Këtë e bëmë. Si shqiptarë të Kosovës, dhe si komb shqiptar në përgjithësi.

Nuk do të mbërrinim kurrë me 12 qershor të vitit 1999-të  (te liria), dhe me 17 shkurt, 2008-të  (te pavarësia), po mos të ndodhte 9 nëntori i vitit 1989-të.

Liria dhe shteti i Kosovës janë gjithsesi pjesë e këtij rrëfimi të madh politik dhe historik, që nisi tridhjetë vjet më parë në Berlin.

Shteti i Kosovës është rezultat, pos tjerash, i kësaj fitoreje të Perëndimit që u kumtua në nëntorin e vitit 1989-të në Berlin.

(Autori është kolumnist i rregullt i portalit lajmi.net)