Rreth betimit të pabashkuar

Zyrtarë të Ministrisë së Pushtetit Lokal, me t’u certifikuar rezultatet nga ana e KQZ’së për Kryetar të Komunave, u kanë dërguar shpjegime zyrtare të gjithëve se si duhet dhënë betimi nga delegatët e Kuvendeve Komunale e deri tek kryetarët.

Lajme

08/01/2014 16:38

Me të pranuar këto shpjegime komunat dhe të zgjedhurit e ri kanë pasur mundësi të kuptojnë mbi të gjitha procedurat ligjore të një mbledhje inauguruese, se çka duhet të përmbajë ftesa, se cili do të jetë rendi i ditës dhe ç’duhet të përmbajë ai.

Agron Maxhuni, udhëheqës i Departamentit Ligjor dhe Monitorimit të Komunave, ka thënë për Kosovapress se secili Kryetar Komune duhet ta ketë të qartë se akti solemn i betimit duhet të kryhet nën praninë e flamurit shtetëror. Vetëm pas vendosjes së këtij flamuri mund të vendosen edhe flamuj tjerë, në këtë rast ai kombëtar.

Ai ka thënë se në bazë të monitorimit nga monitoruesit e kësaj Ministrie, Shpend Ahmeti, dhe anëtarët e tjerë të Kuvendit Komunal të Komunës së Prishtinës, janë betuar konform ligjeve për vetëqeverisje lokale.

“Akti solemn, përkatësisht, betimi, është bërë konform ligjit për vetëqeverisje lokale, konform nenit 57. Ndërsa, për anëtarët është bërë konform nenit 35. 4 të ligjit për vetëqeverisje lokale, brenda objektit të komunës kanë qenë të vendosura flamuri shtetëror i Republikës së Kosovës dhe ka qenë flamuri kombëtar”.

“Nëse i referohemi Ligjit për Simbole Shtetërorë, kjo është e drejtë e garantuar dhe do të thotë nëse e shihni edhe mbledhjen e Kuvendit të Komunës së Graçanicës, e cila është ripërsëritur, aty e shihni edhe flamurin shtetëror, por edhe komunitetet kanë të drejtë të vendosin flamurin e tyre kombëtar”.

Në momentin kur ka dhënë betimin si kryetar i Prishtinës, Shpend Ahmeti, krahas flamurit shtetëror, ka pasur edhe flamurin kombëtar, veprim ky që ka ngjallur reagime të shumta.

I fundit që ka folur për këtë ka qenë zëvendës kryeministri serb Aleksandër Vucic, i cili ka thënë të martën në manastirin e Graçanicës se “ ja edhe kryetari i Prishtinës dha betimin me një flamur të një shteti tjetër”.

Sipas analistit Imer Mushkolaj, i cili ka folur për Kosovapress, veprimi i Shpend Ahmetit është i papranueshëm që për çfarëdo arsye, për çfarëdo emocioni, për çfarëdo ndjesie që mund të jetë patriotike, nacionaliste, të hiqet flamuri i shtetit të Kosovës.

Sipas tij, Ahmeti, me këtë rast, ka përdhosur flamurin shtetëror për t`i lënë vend një flamuri kombëtar, që zyrtarisht është i shtetit shqiptar.

“Duket pak e çuditshme dhe e habitshme se si Lëvizja Vetëvendosje dhe, me këtë rast, zoti Ahmeti si nënkryetar i saj dhe si Kryetar i Komunës së Prishtinës, e kanë plot gojën kundërshtim ndaj strukturave të Beogradit, në kuptimin se ato duhet t`i respektojnë ligjet e institucioneve të Kosovës dhe duhet bashkë më to, rrjedhimisht, edhe simbolet e Kosovës, ndërsa, në anën tjetër, ata kryejnë veprim që nuk e respektojnë flamurin e Kosovës, por zgjodhën ta respektojnë një flamur tjetër, të cilin, në fakt, askush nuk mund t`ia ndalojë që ta duan, askush nuk u’a ndalon që të ndiejnë për të.”

“Mirëpo, pasi kemi të bëjmë me institucione shtetërore të një shtetit të pavarur, siç është Kosova, atëherë, duhet të respektohen institucionet e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe simbolet e Kosovës”.

Në anën tjetër, Sekretari Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se njëjtë sikurse Shesheli e Milosheviçi, ashtu edhe Vuçiq e Daçiq dhe pasuesit e tyre në politikën shoviniste dhe gjenocidale në Kosovë, po tentojnë që të barazojnë të drejtat e Serbisë dhe Shqipërisë në Kosovë.

Sipas Molliqajt, siç raporton Kosovapress, zyrtarët e Serbisë po e trajtojnë Kosovën si një vend ku Serbia dhe Shqipëria janë të barabarta, edhe pse, sipas tij, historia e tregon të kundërtën.

“Ky tentim i barazimit flet për aspiratat e tyre hegjemoniste ndaj Kosovës dhe flet për një planifikim terrorist, kriminal ndaj popullit shqiptar në Kosovë dhe ndaj popullit shqiptar në përgjithësi”.

“Në të njëjtën kohë, nëse mund ta quaj si e drejt e vullnetit të qytetarëve për të inauguruar shtetin në atë pjesë të territorit ose të komunës, nuk po flet njëjtë edhe për pakicat brenda që i ka në Serbi, si hungarezët, boshnjakët, romët e të tjerët atje, por edhe për shqiptarët në Luginë.”

“Për ta marrë vesh vullnetin e serbëve edhe në atë pjesë edhe kudo në Kosovë duhet çliruar, në radhë të parë nga kriminelët që janë vazhdimësi e politikës së Milosheviçit dhe, pastaj, mund të diskutonim cili është ai”.

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, të mërkurën, ka udhëtuar për Bruksel, ku do të zhvillojë takime me përfaqësues të Bashkimit Evropian.

Temë qendrore e bisedimeve me përfaqësuesit e BE-së do të jetë çështja e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për implementimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale sipas ligjeve të Kosovës në komunat veriore të vendit tonë, inaugurimi i të cilave është shtyrë për shkaqe të parregullsive në proceset përgatitore për mbajtjen e seancave inauguruese.

Ndërsa, data e fundit kur kryetarët serbë të komunave që duhet betuar, është 10 janari.