Rreth 660 mijë persona të vdekur në botë nga Covid-19, mbi 10 milionë të shëruar

Raportohet se rreth 5 milionë e 700 mijë raste mbesin aktive.

Bota

28/07/2020 22:25

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë vendi më i prekur në botë nga virusi, me mbi 4.4 milionë persona të prekur e 150 mijë që kanë humbur jetën. Vetëm në 24 orët e fundit në SHBA, u raportuan mbi 60 mijë raste të reja të koronavirusit, e rreth 600 të vdekur.

Presidenti Donald Trump u shfaq për të dytën herë në publik me një maskë dhe tha se Shtetet e Bashkuara po ecin mirë në përpjekjet për zhvillimin e një vaksine, ndërkohë që në Karolinën e Veriut një laborator filloi prodhimin e dozave të një vaksine kandidate.

Presidenti vizitoi mjediset e laboratorit pranë qytetit Rali, ku do të fillojë prodhimi i dozave që do të shërbejnë për provat klinike me 30 mijë vullnetarë.

Ministria e Shëndetësisë së Brazilit njoftoi se me 23 mijë raste të reja që janë regjistruar në 24 orët e fundit, ka arritur në 2.443.000 numri i përgjithshëm i rasteve me Covid-19 në vend ndërsa bilanci i viktimave ka shkuar në 87.600.

Për shkak të koronavirusit të ri, në 24 orët e fundit në Indi janë shënuar rreth 640 vdekje.

Ministria e Shëndetësisë së Indisë tha se në 24 orët e fundit, në vend janë shënuar 47 mijë raste të reja, duke e rritur në 1.483.000 numrin e rasteve ndërsa me 640 vdekjet e reja në 24 orët e fundit, është rritur në 33.450 numri i viktimave nga COVID-19.

Sipas faqes së internetit “Worldometers”, e cila përpilon të dhënat në lidhje me Covid-19, India radhitet në vendin e tretë në botë për sa i përket numrit të rasteve. /21Media