Rreth 500 faqe dokumente për demarkacionin

Qeveria e Kosovës e ka publikuar përmbledhjen e dokumenteve me rreth 500 faqe, në të cilat është bazuar Komisioni Shtetëror për Shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi raporton Tribuna Channel.

Lajme

13/07/2016 21:55

Ekzekutivi ka publikuar Përmbledhjen e dokumnetacionit bazik në përcaktimin e territorit të Republikës së Kosovës, Përmbledhjen e shkurtër të dokumentacionit teknik të trajtuar nga komisioni për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, dhe Dokumentacionin e trajtuar për përcaktimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Qeveria e Republikës së Kosovës, në zbatim të detyrimeve kushtetuese për përcaktimin dhe shënjimin e kufirit shtetëror, në vitin 2012 ka ndërmarrë nismën për përcaktimin e kufirit në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Po atë vit, ishte themeluar Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, në përbërje të të cilit janë ekspertë nga fusha të ndryshme në krye me Murat Mehën, profesor i xheodezisë.

Puna konkrete e tij, sipas Qeverisë, është orientuar prej dokumenteve në vijim: Propozimi gjithëpërfshirës i Marti Ahtisarit për përcaktimin e statusit të Kosovës, Marrëveshjes së Kumanovës të datës 10 Qershor 1999, konkluzave të Komisionit Badinter për ish RSFJ 1991/93 dhe Kushtetutës së RSFJ-së 1974, që ishte në fuqi më 31 Dhjetor 1988 raporton Tribuna Channel.

“Territori i Kosovës do të definohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë më 23 shkurt 2001,”thuhet në dokumentin e parë të publikuar.

Sipas dokumenteve, Komisioni ka trajtuar 25 harta topografike, ka marrë për bazë 12 dokumente Materiale të drejtorisë të ekonomisë së pyjeve të komunës së Pejës, të dhëna kadastrale nga zona të ndryshme.

Në këto dokumentacione përfshihen edhe materialet e ofruara nga pala malazeze, në të cilën paraqiten dhjetëra dokumente dhe harta.

Rezultatet e punës së komisionit janë në përputhje me kërkesat e Rezolutës së Parlamentit të Kosovës të Qershorit 2015 dhe Konkluzionet e Asamblesë Komunale të Pejës në Mars 2015″, thuhet në këto dokumente.