Rreth 5.000 komisionerë të përfshirë në manipulime të zgjedhjeve

Betim Musliu nga IKD beson se 5000 komisionerë kanë qenë të përfshirë në manipulime zgjedhore në vitin 2010. Prokurorja e Shtetit Laura Pula thotë se janë ngritur 232 aktakuza ndaj 1500 personave.

Lajme

25/02/2014 19:06

Për manipulimet që janë bërë gjatë zgjedhjeve të vitit 2010 aktualisht janë duke u ndjekur 1500 persona. Por, besohet se rreth 5.000 komisionerë janë të përfshirë në këto manipulime.

Në një prononcim për RTV 21, Betim Musliu nga Insituti Kosovar për Drejtësi, thotë se janë rreth 5.000 mijë komisionerë të përfshirë në manipulime. Ai thotë se ky është krim i organizuar dhe duhet të ndiqet si i tillë.

“Bazuar në të dhënat e QNR’së, ku nuk janë përputhur të dhënat në 732 kuti në 712 vendvotime, rezulton se janë të përfshirë rreth 5.000 mijë komisionerë të cilët kanë manipuluar. Institucioni i shtetit megjithëse ka bërë një punë e cila nuk ka qenë proaktive, por ka qenë reaktive, sepse janë marrë me pasojat pasi janë kryer manipulimet”.

“Një numër kaq enorm i komisionerëve të përfshirë në manipulim të zgjedhjeve nuk kanë mundur që ato krime t’i kryejnë në të njëjtën kohë në hapësira të ndryshme, pra në të njëtën mënyrë pra pa pasur organizim, pa pasur financim, pa pasur organizator. Prandaj ky është krim i organizuar dhe duhet të ndiqet si i tillë”.

Ndërkaq, Prokurorja e Shtetit, Laura Pula thotë se deri më tani janë ngritur 232 aktakuza ndaj 1500 personave. Pula shton se dënimet e shqiptuara fillimisht me gjobë tashmë janë konvertuar me dënime me burg.

“Lëndët kanë qenë me prioritet nga ana e prokurorëve dhe kemi arritur që t’i ngrisim 232 akte akuzuese ndaj 1500 personave për vepër penale kryesisht mashtrime në votime”.

“Kanë qenë dënime vetëm me gjobë, por falë punës së Prokurorëve të cilët kanë ushtruar ankesë, janë konvertuar dënimet me gjobë me dënime me burg, dhe tani mund të themi se kemi persona që janë në vuajtje të dënimit për ato lëndë të vitit 2010”, ka thënë Laura Pula për RTV 21.