Rrëshqitjet e dheut pasojë e lejeve të gabueshme për ndërtim
Rrëshqitja e dheut sot në lagjen Arbëri, sipas Komunës së Prishtinës, ka ndodhur për shkak të mënyrës së ndërtimit të objekteve në atë pjesë të qytetit.

Lajme
Komuna e Prishtinës ka vlerësuar se rrëshqitja e dheut që ka ndodhur sot në lagjen Arbëria, është rezultat i mënyrës së ndërtimit të objektet në atë pjesë të qytetit dhe dhënien e lejes.
Në një komunikatë të lëshuar nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Komunës së Prishtinës, thuhet se tani për tani nuk ka rrezik për jetën e qytetarëve.
“Sot ka pasur rrëshqitje të dheut në lagjen Arbëria. Kjo si pasojë e mënyrës së si janë dhënë lejet e ndërtimit dhe si janë ndërtuar objektet në atë pjesë të qytetit”.
“Problemi i madh është që tanimë aty as nuk mund të intervenohet. Ndërtimet që janë në pjesën e sipërme janë ngarkesë në rrafshin rrëshqitës”.
“Edhe me pak të reshura shkaktohet lëvizja e këtij rrafshi rrëshqitës. Si pasojë, dëmtohet edhe infrastruktura aktuale që është bërë nga qeverisja e kaluar në këtë lagje, pa e pasur fare parasysh mundësinë e rrëshqitjes së dheut”.
“Tash për tash, nuk ka rrezik për jetën e qytetarëve, dhe rrjedhimisht nuk mund të bëjmë zgjidhje emergjente”.
“Zgjidhje të plotë dhe adekuate për këtë problem, në këtë pjesë të qytetit do të mund të kemi pas një studimi të mirëfilltë ku parashikohen masat e ndërhyrjes”.
“Në këtë drejtim jemi koordinuar për mundësinë e realizimit nga Instituti Gjeologjik i Zagrebit, pasi që zgjidhja tjetër e mundshme, mbushja e atyre hapësirave me ndërtesa tjera, do të ishte shume problematike për urbanizmin, edhe pse e eliminon rrëshqitjen e dheut”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.