Rrënim pa diskriminim
Shpend Ahmeti thotë se janë identifikuar disa objekte të ndërtuara në Prishtinë të cilat shkelin ligjin. Sipas tij, ndërtimet e jashtëligjshme do të rrënohen pa asnjë diskriminim.
Lajme
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se janë identifikuar objekte që tejkalojnë ligjin për ndërtimet pa leje dhe është shprehur i vendosur se të tillat do të rrënohen.
Ahmeti ka njoftuar se objektet e përfunduara para 25 gushtit do t’i nënshtrohen procesit të legalizimit ndërsa ato pas kësaj date i nënshtrohen ligjit të ndërtimit, që si të tilla më pastaj i trajton Drejtoria e Urbanizmit dhe Drejtoria e Inspeksionit.
“Kemi identifikuar disa objekte për të cilat nuk ka më kurrfarë dyshimi se janë në shkelje të plotë të ligjit, dhe me to do të fillojmë edhe aksionet e kësaj jave sa më shpejtë që është e mundshme”.
“Kam kërkuar që pa diskriminim të bëhet trajtimi i të gjitha lëndëve në të gjitha lagjet. Është e qartë që nuk mund t’i bëjmë të gjitha për një javë ose për një ditë, por qytetarët le të jenë të siguruar se tek ne diskriminime nuk ka”.
Drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Liburn Aliu, tha se Drejtoria të cilën ai e udhëheq ka shumë probleme. Procedura e trajtimit të lëndëve duhet të rregullohet, në mënyrë që palët të marrin përgjigje sa më shpejtë që është e mundur, thotë ai.
“Tash jemi në fazën e tranzicionit, ku drejtoria duhet të punojë me ligjet e reja. Jemi në pritje të udhëzimeve administrative që kanë të bëjnë me legalizimin e objekteve pa leje dhe planifikimin hapësinor”.
“Ne e kemi të domosdoshme zyrën e pranimit, që do t’i informojë qytetarët për lëndët, dhe t’u kthejë përgjigje brenda 30 ditëve”, theksoi ai.
Më tej, Aliu foli edhe për numrin e madh të lëndëve të grumbulluara, që do të trajtohen nga një grup i veçantë brenda drejtorisë, si dhe për nevojën e domosdoshme të riorganizimit dhe rregullimit të arkivit, në mënyrë që qasja në dokumentet zyrtare të jetë sa më e lehtë dhe sa më e shpejtë. Ai tha se gjatë këtij viti është i domosdoshëm skanimin i gjendjes në terren, në mënyrë që të dihet se “çfarë po ndodh çdo cep të qytetit”.
Ai thotë se nuk do të shikojnë se të kujt janë ndërtimet pa leje, ndërsa u shpreh se ato që janë përfunduar para datës 25 gusht do t’i nënshtrohen legalizimit nëse aplikojnë.
“Pavarësisht, është PDK apo kushdo qoftë, objektet të cilat Inspektoratet nuk kanë arritur t’i ndalojnë më herët, dhe ato objekte janë përfunduar deri më datën 25 gusht, me ligjin e ri i nënshtrohen legalizimit nëse ato aplikojnë”.
Në anën tjetër drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit, Xhelal Sveçla, thotë se ndaljet e para të punimeve pa leje i ka filluar, ku shkeljet në fushën e ndërtimit janë të ndryshme.
“Kemi marrë raportin dhe dokumentacionin e duhur dhe kemi filluar që të bëjmë ndaljet e para. Në shumicën e vend-punishteve ku nuk ka leje ndërtimi, punimet janë ndalur. Me këtë vendosmëri ne do të vazhdojmë të mos lejojmë asnjë ndërtim pa leje”.
“Momentalisht jemi duke ndalur punën për ata që nuk kanë leje dhe duke bërë planifikimin për rrënime për ato raste kur ka tejkalime, kur ka shkelje të vazhdueshme të procedurave, rregullave dhe ligjeve në fuqi”.
“Deri më tash janë me dhjetëra ndërtime të larta dhe po ashtu me dhjetëra ndërtime të ulëta. Shkeljet ne fushën e ndërtimit janë të disa llojshme, janë ndërtimet pa leje, tejkalimet e lejeve, uzurpimet e hapësirave publike dhe ne po mundohemi që të gjitha këto t’i ndalim”, tha Xhelal Sveçla.