Rrëmbyesi i aeroplanit gjerman nuk ishte shqiptar
Personi që ka marrë peng aeroplanin “Lafthansa” në linjën Munich-Budapes, nuk është fare shqiptar. Këtë e ka konfirmuar MPJ, megjithëse personi maskohej me identitet të tillë duke thënë se quhej Muslim H.
Lajme
Edhe pse mediat gjermane kishin vënë dyshimin se rrëmbyesi i aeroplanit gjerman i linjës Minhen- Budapest ishte rrëmbyer nga një shqiptar i Kosovës, Ministria e Jashtme e Kosovës thotë se personi në fjalë nuk është shqiptar fare.
I paraqitur si Muslim H. , personi i cili një ditë më parë e ka rrëmbyer aeroplanin e linjës Minhen – Budapest, nuk është nga Kosova.
Ai quhet El Halim Muslin dhe madje nuk disponon as letërnjoftim të Kosovës.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJ)ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se ky person nuk ka shtetësi të Kosovës.
Bashmir Xhemaj, këshilltar politik i ministrit të MPJ-së Enver Hoxhaj, ka thënë se kjo ministri në bashkëpunim me ambasadat e Kosovës jashtë vendit si dhe me autoritetet e huaja e sidomos ato gjermane, ka marrë informacion se ky person është paraqitur në katër vende të BE-së ku ka hyrë si në Portugali, Hungari, Gjermani dhe Holandë, si kosovar.
Por, Xhemaj tha se me angazhimin e organeve të këtyre vendeve dhe sidomos ambasadave të Kosovës është zbuluar se identiteti i tij nuk ka të bëjë asgjë me Kosovën. Madje, ai ka thënë se edhe emrin e prindërve që ka dhënë dhe vendbanim nga vjen, gjoja në Prishtinë, nuk ekziston.
Të dhënat e gjendjes civile sipas Xhemajt, e demantojnë këtë që ka thënë ai tek autoritetet jashtë Kosovës. Ky person sipas të dhënave që ka siguruar MPJ, Xhemaj tha se nuk flet as gjuhën shqipe. Xhemaj ka theksuar se identiteti i plotë i tij është El Halim Muslin. Muslin ka rrëmbyer aeroplanin e linjes Minhen – Budapest pasi nuk dëshironte të kthehej në Hungari, vendi i parë i shengenit ku ka hyrë ilegalisht.
Kërkesa për azil e Muslim H. ishte hedhur poshtë para katër javësh, ndërsa rregullat e shengenit e duan që çdo person të kthehet në shtetin e parë të shengenit ku personi në fjalë ka hyrë ilegalisht, raporton Zëri.