Rrëfimi i Vjollca Berishës për Masakrën e Suharekës
Njëra prej tre të mbijetuarve të Masakrës së Suharekës, Vjollca Berisha ka rrëfyer për tmerrin e 26 marsit të vitit 1999. Ajo tregon se në kamion ka qenë edhe një fëmijë i gjallë, por i cili ka refuzuar që të kërcej nga kamioni.
Lajme
Në emisionin “Pa Rrotlla”, Vjollca Berisha ka treguar se si ajo djali i saj dhe kunata Shyhretja, kanë kërcyer nga kamioni, i cili barte trupat e pajetë të anëtarëve të familjes Berisha, por dhe të disa qytetarëve të tjerë të Suharekës.
“Kur ka filluar që të ecë kamioni Shyhretja më ka thirr sepse unë nuk kam qenë me vetëdije. Më ka thirr më ka thënë Vjollca çu, a je gjallë, e unë i thash po. Më tha hajde kërcejmë se na shtinë në ndonjë gropë e mund mundemi me dalë”.
“Unë nuk e dija që e kam djalin afër dhe nuk e dija që e kam gjallë. Ajo Altinin e kish pas përpara, e prekte i binte, por ai veç ishte i vdekur. E la djalin, më tha Vjollca unë katër fëmijët po i lë këtu, vet po dua të kërcej se ndoshta burrin e kam gjallë. E ra djalin dhe kërcej”.
“Unë njëherë e shikova rrugën, a po më përcjell kush, e kam kthyer kokën e pash jaknën e djalit, e kom qel fytyrën, ai nuk bënte zë, kur ja kam parë fytyrën ja kam pa sytë qelë. Nanës a je gjallë i thash, hajde kërcejmë se na shtinë me ndonjë gropë. Djali njëherë u frikësua që të kërcej prej kamionit. Kamioni ka qenë shumë në shpjetësi të madhe, rruga e drejtë, vetura të tjera nuk ka pasur, vetëm të policisë dhe ushtrisë”.
Vjollca rrëfen se edhe një fëmijë tjetër në kamion kishte qenë i gjallë. Anipse ajo kishte insistuar që ai të kërcente bashkë me të, ai nuk kishte pranuar.
Më pas rrëfimi i saj vazhdon, se si në shtëpinë e parë, një serbe i kishte dhënë sherbet për djalin e saj Gramozin dhe më pas i kishin dërguar në një shtëpi të shqiptarëve sepse kishin frikë që t’i strehonin në shtëpinë e tyre.
“Edhe një fëmijë tjetër në kamion ka qenë gjallë. Edhe ata e kam lutur, i kam thënë hajde kërce me mua. Atij ja kishin vënë një kufomë përmbi, djali qante. Ja kam larguar kufomën përmbi, ja çela fytyrën për të marrë frymë”.
“Hajde i thash kërce me mua se ku e di se nga do të na çojnë. Ai ja nisi të qante, bërtiste, jo nuk dua të kërcej. E lash, më shumë nuk i thash, se tash po më dëgjon vozitës”i.
“E kam kap Gramozin, kemi kërcye. Menjëherë jam ngritur nga asfalti. Djalin për dore dhe kemi ecur nëpër ara. Afër rrugës së Caparcit kam kërcyer. Nëpër ara, djali ishte krejtësisht i gjakosur. Te shtëpia e parë mbrapa shkollës i kam parë disa njerëz në oborr. U afrua ajo gruaja, ajo kish qenë serbe, thash prapë ju rashë në dorë”.
“I thash a bën pak ujë për djalin, ajo hyri brenda dhe i solli sherbet”.
“Thanë se nuk guxojnë të na mbajnë dhe na dërguan te një shtëpi e shqiptarëve. Aty na e kanë dhënë ndihmën e parë”, rrëfeu për emisionin “Pa Rrotlla”, Vjollca Berisha.