Rrëfimi i trafikantit: Si i dërgojmë klandestinët në Britaninë e Madhe

“Ne të dy pimë dhallë të ftohtë këtu në lokal, dhe në moment që telefonon vëllai yt që të thotë jam në Londër qytet, ti më jep 12 mijë eurot, dhe të uroj fat. Gjithçka është e organizuar në mënyrë të përpikte, nuk bëhet fjalë për diletante. Pas meje kam një ‘ushtri’ të vërtetë”.

Lajme

14/08/2015 18:35

Flas me M.L, një tiranas me nënshtetësi franceze që prej vitesh punon me “Agjencinë e Udhëtimit” Tiranë-Britani e Madhe.

I them që jam gazetar dhe më beson, pranon të flasë, falë dhe një njohjeje të përbashkët.

“Nuk besoj se ti bën ndonjë proçkë, më dukesh djalë i zgjuar. i kam fijet e lidhura kudo”, shton ai ndërsa rrufit shishen e dytë me dhallë të ftohtë dhe shton: “Nuk e gjen o burr këtë në Francë, ajrani turk është ndryshe, i mirë por jo me këtë shije”, shton duke ndezur cigaren që thotë se është e para e ditës nga 6 që thith të tilla.

Kanali që përdor “trafikanti ynë” për rrugëtimin e njerëzve që duan të bashkohen me familjet e tyre është krejt i ndryshëm nga ai i zakonshmi, të cilën M e quan “punë amatorësh” dhe “pabuksish” që prishin tregun.

“Unë nuk çoj njerëz që udhëtojnë si skllevër me maune që u zihet fryma. Unë bashkoj familje, vajza që shkojnë tek të fejuarit apo bashkëshortët e tyre dhe djem që arrijnë baballarët nga Londra, Leeds, Belfas apo Dublin. Mund të më quash dhe trafikant po deshe, por unë jam humanist. Pse? Po ja ta shpjegoj unë: Kryesisht njerëzit që dërgoj në destinacion janë studente apo gra me fëmijë, që trajtohen si motrat e mija me kushte perfekt deri sa arrijnë në vend dhe takojnë njeriun e afërt. Aty përfundon puna ime. Nuk i lë njerëzit e mi në rrugë”.

Po sa kushton, e pyes dhe përgjigja vjen menjëherë: “Duket shumë por është e llogaritur me detaje. Fitimi im vjen vetëm nga ulja e kostos që i bën mungesa e tatimit, pra bëhet fjalë për një “duty free service” thotë bashkëbiseduesi ynë gjithë seriozitet. Kostoja është përgjithësisht 12 mijë euro, por për shërbime të veçanta ka “anekse tarifash speciale” natyrisht duke e rritur shumën.

Po si funksionon ky udhëtim nga Tirana në Angli?!

Gjithçka duket e organizuar. Personi që dëshiron të arrijë në destinacion, merret në banesën e tij nga M, i cili zotëron një makinë të fundit që ndryshon gjithmonë me targa jo shqiptare. Automjeti shkon drejt Malit të Zi nga Muriqani, pastaj kalon në Kroaci, prej andej në Slloveni, nga ku kalon në Trieste. Një pushim i shkurtër në qytetin”gjysmë sllav” të Italisë dhe vazhdon udhëtimi diagonalisht deri në Gjirin e Gjenovës, një natë fjetje në një fshat pranë San Remos, më pas kalohet në Rivierën Franceze nga Nica deri në Sant Trope.

Një tjetër udhëtim diagonal nëpër Francë, duke shëtitur të gjithë fushat piktoreske deri në Nantë, ku bëhet pushimi i parafundit. Aty personi strehohet në një banesë konforte ku qëndron disa ditë deri sa bëhen tratativat dhe oficerët e policisë japin “dritën jeshile”.

Në nëntë vjen pastaj një furgon i një Organizate Jo Qeveritare që merr njerëzit e grumbulluar e i çon në Portin e Brest-it. Prej andej, ata i hipin anijes, përgjithësisht vapor mallrash dhe udhëtojnë në Plymouth të Anglisë.

Të gjithë klandestinët kanë dokumente false si ekuipazh i anijes. Nga Franca në Angli, vapori që drejtohet nga superprofesionistë ka një staf fare të vogël. Klandestinët bëhen në mënyrë të improvizuar, teknikë, motoristë, kuzhinierë, elektriçistë e radistë, që zbresin me leje provizore në portin anglez.

Aty jepet një drekë për “ekuipazhin” në një restorant të njohur që administrohet nga shqiptarë. Bashkëbiseduesi, duke qeshur na thotë se aty gatuhet aq mirë sa thuajse gjithmonë në atë restorant buajnë oficerë të policisë kufitare britanike, që “çmenden” pas specialisteteve mesdhetare.

Më pas, një autobus gati turistik i merr të gjithë “ekuipazhin në liri-dalje” dhe i shëtit nëpër Angli. Sipas dëshirës. Kur secili takon personin e kontaktit nëpër qytetet e përcaktuara, telefonon babain, vëllain, apo kushëririn që është person kontakti me M dhe i thotë: “Jam mirë”.

Aty bëhet pagesa në dorë cash e 12 mijë eurove, të cilat shpërndahen më pas nëpër të gjithë mekanizmin e “agjencisë turistike”.

“E shikon që bëhët fjalë për udhëtimin e jetës që nuk do ta shijosh kurrë nëse paguan çdo agjenci turistike. Madje mund të bësh edhe ndonjë plazh të shkurtër në “Cote d’Azur”, por mua më pëlqen që tani në verë t’i çoj në lumenjtë e kristaltë të zonës së Nantës”, thotë bashkëbiseduesi ynë, i cili i pyetur për lidhje e tij në policinë shqiptare përgjigjet; “S’ka nevojë, ne veprojmë sipas të gjitha ligjeve dhe rregullave të udhëtimit në Shengen, por kam miq kudo. Kam bërë shpërndarje për njerëz, pra ndere edhe pa para”./tesheshi