Rrëfimi i autorit të vrasjes së dyfishtë: Kam pasur histori dashurie me Paolën

Ervis Lulushi, autori i vrasjes së dyfishtë të ndodhur dje në Vlorë, u arrestua në kohë rekord nga policia. Lulushi më parë kishte pasur lidhje dashurie me vajzën e cila jetonte në Gjermani, dhe nuk pranonte ndarjen. 

Lajme

03/01/2015 17:14

28-vjeçari ekzekutoi dy kushërinjtë Paola Bishaj, 21 vjeç dhe Parid Velaj, 28 vjeç, ndërsa plagosi Gert Arapin, po 28 vjeç. 

Paola, e cila jetonte në Gjermani ishte kthyer me rastin e festave të fundvit për të qenë pranë familjes. Motivi që çoi Elvisin drejt këtij akti fatal dyshohet se është refuzimi i 21-vjeçares për të rinisur një lidhje dashurie të ndërprerë. 

Pas arrestimit, rreth 800 metra larg vendngjarjes, Ervis Lulushi ka pranuar autorësinë e vrasjeve. 28-vjeçari gjithashtu ka deklaruar se kishte pasur një histori dashurie me Paolën. 

Policia gjithashtu ka arrestuar edhe shokun e autorit të dyshuar, Henrik Merkaj për moskallëzim krimi.

Merkaj, ka transportuar pranë pastiçerisë “Grande Gelato”, ku ndodhi krimi, Lulushin. Merkaj është oficer i Forcave të Armatosura në Repartin 1030 Poshnjë të Beratit.

Lulushi, pasi ka hyrë në pastiçeri ka kërkuar të bisedojë me 21-vjeçaren, por Parid Velaj ka ndërhyrë duke e larguar atë nga ambienti i lokalit.

Por, autori është rikthyer sërish. Këtë herë me pistoletë në dorë, ai ka qëlluar tri herë në drejtim të Paolës, ndërsa më pas ka qëlluar dhe me një plumb në kokë Velajn, i cili ka tentuar të ndërhyjë.

Ervisi ka tentuar të ekzekutoi dhe Genti Arapin, por ka shpëtuar falë bllokimit të armës. Ai është goditur disa herë në kokë me tytën e pistoletës.

Vëllai i këtij të fundit thotë se, autori i krimit kishte kohë që e përndiqte 21-vjeçaren, para se Paola të jetonte në Gjermani. Sipas dëshmisë së tij, 28-vjeçari e dinte që e reja do të ishte në Shqipëri për festa pasi e ndiqte përmes rrjetit social Facebook. (Shekulli)