Rrëfimi emocionues i mjekes shqiptare në Itali të prekur nga koronavirusi

Alma Kasa është një mjeke onkologe në Itali, e cila pak ditë më parë foli për luftën e tmerrshme me koronavirusin për gazetën italiane La Stampa. Sot ajo tregon më shumë rreth kësaj eksperience.

Lajme

09/04/2020 19:04

Duke qenë se ndodhej në vatrën e infeksionit, duke luftuar në vijën e parë, Alma u prek nga koronavirusi dhe aktualisht ndodhet e izoluar në shtëpinë e saj.

Alma KasaFatmirësisht është në gjendje të mirë shëndetësore.

Alma jeton në Casale Monferrato, Aleksandri, me bashkëshortin e saj, Blerimin dhe të bijën 18-vjeçare, Martinën.

Në këtë rrëfim për Revistën Class, ajo tregon më shumë për mënyrën si e ka përballuar virusin, për emocionin që ndjeu kur mësoi se 30 mjekë dhe infermierë nga Shqipëria do të mbërrinin në Itali për të ndihmuar, por edhe për fillimet e saj në Itali.

“Kam mbaruar Fakultetin e Mjekësisë së Përgjithshme në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë në vitin 2000. Menjëherë pas mbarimit të shkollës kam emigruar në Itali. Sigurisht ardhja në Itali si për të gjithë shqiptarët s’ishte e lehtë, sepse po filloja jetën nga e para në të gjitha aspektet. Nga ana profesionale ishte gjithashtu shumë e vështirë, pasi diplomat tona universitare nuk njiheshin. Kështu që, pas lindjes së vajzës, në vitin 2001, vendosa t’u përkushtohesha studimeve të mia dhe pas shumë provimeve të detyrueshme u diplomova në Universitetin e Torinos. Arrita të kualifikohem për të filluar punë si mjeke në Spitalin “Santo Spirito” në Casale Monferrato, në vitin 2005. Më pas kam kryer edhe shumë specializime të tjera,”, tregoi Alma për Revistën Class.

Ashtu si për çdo mjek, edhe për Almën jeta profesionale s’ka qenë e thjeshtë. Qyteti i Casale-s njihet për një sëmundje profesionale vdekjeprurëse, Mesotelioma Pleurico, që prek pleurën dhe shkaktohet nga mbetjet e amiantit. Siç thotë Alma “kjo sëmundje është dramë sociale dhe psikologjike për të gjithë banorët e qytetit ku ajo jeton.” Por ky nuk është i vetmi shqetësim, pasi gjërat janë bërë edhe më të tmerrshme që pas përhapjes së COVID-19.

“Është një sëmundje që mund të infektohesh shumë lehtë; nëpërmjet vijës ajrore dhe kontaktit të sipërfaqeve si rrobat, materialet plastike, metali, etj. Është shumë e vështirë të mbrohesh. Ne mjekët ishim shumë të ekspozuar në fillim, pa e ditur që virusi kishte mbërritur në Itali, sepse ishte periudha në të cilën në spitale nuk përdoreshin akoma mjetet mbrojtëse (maska, doreza, veshje mbrojtëse shtesë, etj.). Në vizitat e zakonshme me pacientët që marrin trajtim mjekësor në shtëpi, unë kam pasur kontakte me një paciente që më vonë rezultoi pozitive në testin COVID-19. Sipas protokolleve, pas konfirmimit të gjithë personat më të cilët pacienti ka pasur kontakt duhet të qëndrojnë në karantinë 14-ditore. Mbas ditës së shtatë të qëndrimit në izolim në shtëpi filluan të më shfaqeshin edhe simptomat e para: temperaturë, dhimbje të kyçeve dhe të gjithë muskujve, pafuqi fizike. Kërkova të më bëhej testi, i cili rezultoi pozitiv. Si mjeke i kuptova menjëherë shenjat dhe fillova mjekimin që në fazat e para dhe pata përmirësime të dukshme të frymëmarrjes. Ka rëndësi të veçantë trajtimi i sëmundjes që në fazat e para për të evituar insufiçencën respiratore akute, që është një nga arsyet kryesore që shkakton vdekjen te pacientët”, rrëfen Alma, e cila tregon se përveç gjendjes jo të mirë shëndetësore në të cilën ndodhej, shqetësohej shumë edhe për familjarët e saj.