Rrëfim, si ndodhi masakra në Paris

Të veshur me të zeza nga koka te këmbët dhe të armatosur rëndë, dy persona zbritën nga një Citroen i vogël rreth orës 11:20 në një ditë të ftohtë dhe me mjegull në Paris.

Bota

08/01/2015 12:30

Njëri mbante një granatë në dorë, ndërsa që të dy kishin armë kallashnikov. Një qëndroi në makinë. Dy personat e armatosur u drejtuan për tek dera Nr. 6 në rrugën Rue Nicolas-Appert.

“Është kjo Charlie Hebdo?” thirrën para dy punonjësve të mirëmbajtjes. Redaksia e revistës ishte dy dyer më tej, por ata nuk lëvizën pa vrarë njërin prej punonjësve, që u bë viktima e parë e sulmit.

Para se të hynin në zyrat e revistës, ata terrorizuan një nënë të re, Florence Pouvil, asistente shitjeje që punonte përballë zyrave të “Charlie Hebdo” dhe vajzën e saj.

“Pashë dy njerëz me armë të mëdha, si kallashnikovë, jashtë zyrës sonë dhe më pas dëgjova të shtëna. U shtrimë për tokë të terrorizuar”, rrëfen Pouvol, transmeton Shekulli.

“U trembëm për vdekje dhe për të shpëtuar u fshehëm poshtë tavolinës në mënyrë që të mos na shihnin. Ishin të veshur plotësisht me të zeza, sa që as fytyrën nuk ua pashë dot. Mbanin veshje ushtarake”.

Agresorët i thanë një agjenti imobilar që t’i thoshte medies se sulmi po kruhet nga Al Qaeda në Jemen.

Kur mbërritën para derës së revistës, dy terroristët detyruan karakaturisten Corinne Rey që sapo mbërriti bashkë me vajzën e saj, të cilën e kishte marrë nga kopshti, që të formonte kodin e sigurisë për hapjen e derës.

Rey tregon se, pasi hynë në zyrë, bashkë me vajzën e fshehën poshtë tavolinës. “Ata qëlluan Ëolinski-n, Cabu-n… zgjati pesë minuta. Ata flisnin një frëngjishte perfekte. Thanë se ishin të Al Qaeda-s”.

Në orën 11:35 redaksia e revistës ishte kthyer në kasaphanë. Në katin e dytë të ndërtesës moderne kishte shumë të vdekur. Gazetarët dhe redaktorët ishin në ndërtesë për të zhvilluar mbledhjen e mëngjesit.

Mes të vrarëve ishin: Stephane Charbonnier, 47, redaktor i revistës; truproja e tij; karikaturisti me famë Georges Ëolinski, 80; Bernard ‘Tignous’ Verlhac, 57; Jean Cabut; si dhe shkrimtari 68-vjeçar Bernard Maris.

Agresorët ishin nisur me qëllimin për të vrarë kryeredaktorin Charb. Teksa kërkonin për të pyesnin ”Ku është Charb”. Ata e vranë atë duke gjakosur gjithandej vendin.

Policia mbërriti rreth orës 11:50 me biçikletë. Pas kësaj, agresorët u kthyen qetësisht në rrugë, po me të njëjtën mënyrë që hynë në ndërtesë.

Tre policët që mbërritën me biçikletë s’mund të bënin asgjë.

Terroristët hipën në Citroen, ndërsa në vendngjarje erdhën edhe policë të tjerë. Agresorët qëlluan në drejtim të makinës së policisë disa herë.

Ashtu siç shihet dhe në video, ata dolën nga makina dhe qëlluan në drejtim të një polici që ndodhej rreth 18 metra larg tyre.

Ai u rrëzua përtokë dhe ngriti njërën dorë për mëshirë.

Por, ata nuk u ndalën! U afruan dhe njëri prej tyre e qëlloi nga afër.

Para se ata të ktheheshin në makinë thirrën: “U hakmorëm për Profetin Muhamed. Vramë Charlie Hebdo”.

Një nga personat e armatosur u ul për të marrë këpucën para se të hipte në makinë, e cila më pas u largua me shpejtësi, duke lënë pas 12 të vrarë dhe 11 të plagosur, pesë prej të cilëve janë në rrezik për jetën.