Rrëfehet për herë të parë nënë Zylja, jeta mes vuajtjeve dhe takimi me Erion Veliajn

Nënë Zylja, vetëm 69¬-vjeçare ka rrëfyer për “Nismën¬-Thurje” historinë e jetës së saj, gjobën nga Policia Bashkiake dhe takimin me kreun e Bashkisë, Erion Veliaj.

Lajme

13/03/2016 09:28

RRËFIMI

“Nga të kapesh e nga ta përplasesh jetën time. Përveç martesave të fëmijëve nuk kam parë një ditë të gëzuar. Unë jam Zylja, 69 vjeç, nënë e 8 fëmijëve të lindur, njërin prej tyre e humba kur ishte gjashtë muajsh, 2 djemve të rritur dhe 5 vajza. Jeta ime ka qenë gjithmonë e tillë. Edhe nëna ime ka shitur tek po i njëjti vend ku po shes edhe unë sot. Edhe në kohë të Enverit. Kishin bahçe në shtëpi dhe shisnim nga pak kur bëheshin gjërat. Aty të tuneli. Më merrte gjithmonë me vetë që kur isha fëmijë, se detyrimisht në ishim 5 fëmijë dhe duhet të ushqeheshim. Kur u martova pastaj tek po i njëjti fshat, fati donte të më çonte tek po I njëjti vend. Jam martuar që kur kam qenë 15 vjeçe.

Kam ngelur shtatzënë po atë vit. Linda djalin e parë, gëzimi i parë. Po ku mund ta ndjeja unë, isha akoma fëmijë për vete, po ajo foshnje nuk jetoi më shumë se gjashtë muaj për të treguar edhe për me të bërë të ndihesha ashtu siç më bënë fëmijët e tjerë që më erdhën më pas. Gjithsecili në konakun e tij, e të gjithë në punën tonë shkonim çdo ditë në kooperativë bashkë me burrin për t’iu siguruar sadopak bukën kalamajve, sa te rriteshin edhe ata të bëheshin te aftë për punë. Të dy kemi qenë punëtorë të thjeshtë. E mbaj mend si sot atë bukën e misrit që blinim. E prisnim me hanxhar aq e fortë ishte. Unë e përtypja një herë për vetë e pastaj ia jepja fëmijëve, se kisha frikë se mos mbyteshin. Kur erdhi demokracia nuk morëm tokë nga kooperativa, ato i morën ata që i ndanë, ata të vulave. Unë mora një dynym e gjysmë tokë që ma kishte lënë babai dhe e ngritëm serën që atëherë. Që nga ajo kohë e deri tani ne me atë ushqehemi e mbahemi.

Është e vetmja e ardhur që ne kemi. Djali im kujdeset për të. Punon si kali nga mëngjesi deri në darkë. Në krahë i ngre të gjitha, plehun, farat e gjithçka. Mbjellim qepë, spinaq barishte dhe domate. Tek ai djalë i kam sytë, se tjetrin e kam ne Greqi e ka 15 vite që s’lidhemi dot me të. Dimë vetëm që është mirë dhe kaq. E nga ky shqetësim burri m’u sëmur edhe vetë m’u shpik tensioni. Vajzat I kemi martuar po në Kashar, në njerëz të mirë, por familje me halle si puna jonë. Njërën vajzë e kam në Greqi. Kam një jetë që dal edhe shes bashkë me burrin tek po i njëjti vend që kur hapëm serën. Aty të tuneli. Ne me atë mbahemi, jo vetëm nga lekët, po edhe bukë në darkë kur s’kemi nxjerrë gjë gjatë ditës. Ç’e do që i kemi larg e na duhet një orë me këmbë për të shkuar. Kur bie shi shkon balta deri në gju. E megjithatë vet i bëjmë të gjitha, nuk kam parë ndihmë nga asnjë deri më sot. Asnjë nuk ka venë dorën në zemër. Vijnë në fshat kamionët me ndihma e mu tek dera jonë ndalonin. Dilnin nuse të reja që merrnin ndihmat e ne pleq me 1000 halle nuk na ka dhënë njeri sikur një kile makarona e unë sot nuk mundem t’ia bëj dot hallall njeriu. Nuk kam votuar asnjëherë sepse askush s’më ka ndihmuar asnjëherë. S’jam me asnjë se s’ia kam parë hairin njeriu. Me këto krahë e me këto këmbë shkoj e kthehem çdo mëngjes e darkë. Sot unë dal aty dhe shes të gjitha ato që bëhen tek sera, qepë, domate, spinaq, çfarë të jetë ne sezon. Nisem qe në mëngjes. Ne orën 5:30 në mëngjes e deri ne 4:30 në pasdite jam aty bashkë me burrin tim. Kisha ca pa dale se më hipi tensioni dhe nuk mund të çohesha dhe dilte vetëm burri im, kur para një jave mori një gjobë 10 mijë lekëshe.

Dje që dola dhe unë e mora dhe unë një. Kemi marrë disa gjoba, po unë nuk i kam thënë njeriu se nuk doja që t’i shqetësoja se e di që do bëheshin keq. I kemi paguar. Disa herë ma kanë marrë mallin, ajo ka qenë më e keqja. Njerëzit ndoshta mendojnë se ne fitojmë, por nuk fitojmë. Nëse ne muaj i nxjerr 200 mijë lekë të vjetra, është muaj i mirë. Jemi 6 frymë në shtëpi, djali me nusen dhe dy fëmijët dhe plaku 79 vjeç. Para dy javësh shita vetëm pak spinaq. Bëra 50 lekë. Më hipi tensioni e nuk doja veten. As lekët e urbanit nuk nxora. U them gjithnjë në shtëpi që nëse nusja do të gjente një pune, ndoshta nuk do dilja më te tregu. S’kam dhe fuqi. Plaku po ashtu, ka bërë këmbën operacion dy herë dhe mezi ecën. Kur më thanë sot që do te më çonin tek një treg i ri për të takuar Erion Veliajn, nuk doja të shkoja, po më tha një i njohuri im që më ka respektuar që shko, prandaj shkova. Nuk shkëmbeva fjalë me të. S’merr vesh nëna nga politika. E putha dhe përqafova, se ne e kemi zakon. Njerëzit duhet t’i duash dhe respektosh sidomos kur janë të rinj. Unë jam njeri i thjeshtë, nuk i kam renë asnjërit në qafë, madje dhe ai polici kur po më vinte gjobën po më thoshte ” E di moj nënë që të nxjerr halli këtu, se dhe unë kam nënën time që shet tek Shkolla e bashkuar prej kohesh, po dhe ajo pothuajse çdo ditë merr gjoba. Nuk është e drejtë po çfarë të bëjmë ne?”. Nuk e di a më gënjeu a më tha te vërtetën. Nëna do vetëm të shesë barishtet e serës. Me ato blejmë ushqimin, ilaçet, paguajmë ujin për serën se atë e blejmë ngaqë nuk ka ujë në fushë, e sajojmë fëmijët. Një herë kur ra stuhi e madhe dhe e shkuli të gjithë serën thamë se vdiqëm. Shyqyr na u gjend vajza e madhe nga Greqia dhe e rregulluam prapë. Aty e kemi jetën. Aty lart ku më thanë unë nuk shkoj dot, Te Oxhaku, është shumë larg. Sepse jo çdo ditë shesim. Më thonë që jam bërë e famshme, por unë nuk kam internet, e as djali nuk ka. Nuk dimë ti shohim këto gjëra. As na hyjnë në punë. Ne duam të shesim barishtet që të jetojmë. Nëse nipërit e mbesat do kenë një fat me të mirë, i lutem Zotit përditë qe ti shohë”.