Rrëfehet Berisha, flet për adaptimin, objektivat, rivalët dhe konfirmon negociatat me Ballkanin para Prishtinës

Sulmuesi më i fundit i FC Prishtinës, Besart Berisha ka folur në një intervistë për lajmi.net, lidhur me disa tema.

Sport

14/10/2021 20:02

Berisha ishte transferimi më i fundit i Prishtinës, derisa ka zhvilluar vetëm disa minuta me “Bardhëkaltërit”, atë në barazimin ndaj Dritës.

Për lajmi.net, Berisha tha se ka nisur të adaptohet mirë te skuadra kampione, por i duhet më shumë kohë.

“Jam adaptuar shumë mirë, lojtarët ma kanë lehtësuar se ishin lojtarë të mirë. Mezi po pres me fillu lojën e parë në shtëpi, kam nevojë edhe për pak stërvitje kondicionalë, mirëpo jam duke u ndjerë shumë mirë”.

Berisha theksoi se është pritur mirë nga bashkëlojtarët, ku konfirmoi edhe konkurrencën te skuadra prishtinase.

“Më kanë pritur shumë mirë, në çdo skuadër ekziston konkurrenca dhe normal edhe aty ka. Është një miks i mirë mes lojtarëve me eksperiencë dhe të rinjve. Normal edhe këtu ekziston konkurrenca, edhe në lojë gjithashtu edhe në stërvitje”.

Sulmuesi deklaroi se niveli i Superligës së Kosovës është rritur dhe është gati të jep maksimumin.

“Shumë mirë, është përmirësuar shumë. Unë e vlerësoi shumë Ligën e Kosovës, kam respekt dhe e kam parë që ka ndryshuar, e bëra lojën e parë të Drita dhe e pashë që është nivel shumë i mirë. Normal ka nevojë për disa kushte të stërvitjeve, por mirë është. Është nivel që edhe unë duhet të përballem dhe të jap maksimumin”.

Tutje, Berisha foli edhe për arsyen pse iu bashkua Prishtinës, që e cilësoi si ëndërr.

“E kam pasur një ndjenjë me u rikthyer në Kosovë, por s’ka qenë koha e përshtatshme për mua, pastaj edhe me COVID-19. Gjithmonë kam pasur dëshirë me ardh me lujt, unë Prishtinën si klub e njoh moti dhe gjithmonë jam takuar me ata të klubit dhe e kam pasur si dëshirë, që nëse kthehem do rikthehem te Prishtina”.

I pyetur për rivalët, Besarti u shpreh se është vetëm fillimi i sezonit dhe që klubet e tjera janë në formë të mirë momentale.

“S’po dihet niher, klubet janë në formë dhe janë duke luftuar për titull, unë si lojtar shoh gjithmonë skuadrën teme, unë besoj që i kemi ato, me eksperiencën e lojtarëve, stafit, çfarë na duhen për titull dhe shpresoj që do jemi atje, por janë shumë skuadra tjera, është ende herët”.

Berisha pastaj konfirmoi negociatat me Ballkanin, skuadër që i kishte mohuar bisedimet muajin e kaluar.

“Janë të vërteta edhe shumë tjera, por tashmë janë kryer dhe kam vendosur për Prishtinën dhe unë gjithmonë kam pasur respekt për klubet që janë munduar të hyjnë në diskutim për te skuadrat e tyre, i falënderojë shumë, por unë gjithmonë e kam pasur dëshirë të luajë për Prishtinën, gëzohem që është realizuar”.

Ish ylli i Western United gjithashtu foli edhe për ambiciet personale, duke bërë me dije që do ta ndihmojë skuadrën me gola.

“Se pari është adoptimi sa më shpejtë, stilin dhe formacionin dhe si sulmues kisha pas dëshirë më dhënë maksimumin me gola dhe me i ndihmuar skuadrës, me arrit ambiciet që i kanë për ligën”.

Në fund, qendërsulmuesi zbuloi se ëndërron të jetë golashënuesi më i mirë në Superligën e Kosovës.

“Unë si sulmues me shënuar, por tash duhet me pa si adaptohem me skuadrën këtu. Është ëndërr që të jem golashënuesi më i mirë në Kosovë, është arritje e mirë, por duhet me punuar, nuk mundem të them jo, por të shikojmë”, nënvizoi Berisha për lajmi.net.

Ndërkohë, Prishtina momentalisht renditët në pozitën e gjashtë me 10 pikë, gjashtë pikë prapa liderit, Ballkani./E.Bytyqi/Lajmi.net/