Ronaldo, më i madhi i Realit

Ish sulmuesi anglez Michael Owen është i bindur se Cristiano Ronaldo është futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave i Real Madridit, para legjendës së klubit, Ferenc Puskas.

Sport

02/05/2014 15:29

Ish reprezentuesi anglez Michael Owen beson se Cristiano Ronaldo është pa diskutim futbollisti më i madh i të gjitha kohërave i Real Madridit.

Reprezentuesi portugez ka shkëlqyer deri më tani gjatë këtij sezoni dhe theu rekordin e golave brenda një edicioni të Ligës së Kampionëve (16), me dy shënimet në fitoren 4:0 në udhëtim te Bayern Munich të martën.

Owen – i cili luajti për Real Madridin në edicionin 2004-05- është i impresionuar nga paraqitjet fantastike të Ronaldos dhe e konsideron atë si futbollist edhe më të mirë se legjenda e klubit, Ferenc Puskas.

“Mendoj se futbollisti më i madh i të gjitha kohërave i Real Madridit është Cristiano Ronaldo, i përcjell nga Ferenc Puskas”, shkroi Owen në kolumnen e tij për Sportlobster.

“Ronaldo e barazoi rekordin e mrekullueshëm të Puskasit prej 242 golash, pas më pak ndeshjesh. Ai po ashtu ishte futbollisti që më së shpejti shënoi 100 gola dhe e mban rekordin prej numrit të madh të golave për Realin brenda një sezoni”.