Ronaldo, lojtari më komplet i të gjitha kohëve
Miroslav Klose mendon se legjenda braziliane, Ronaldo, është futbollisti më i kompletuar i të gjitha kohëve. Gjermani ia theu rekordin brazilianit, sa i përket golashënuesit më të mirë në histori të Botërorëve.

Sport
Miroslav Klose e ka lavdëruar Ronaldon, pasi e kaloi rekordin e ish futbollistit brazilian, duke u bërë golashënuesi më i mirë në histori të Kampionateve Botërore.
36 vjeçari e shënoi golin e 16-të në Botëror ndaj Seleçaos në Belo Horizonte të martën mbrëma, në fitoren e thellë 7:1.
Klose u bë legjendë, ndërsa Ronaldo mbeti në kuotën e 16 golave. Megjithatë, sulmuesi gjerman ka fjalë të mira për ish futbollistin e Barcelonës, Real Madridit, Interit e Milanit.
“Ai ishte një lojtar i jashtëzakonshëm. Unë luaj në Itali dhe me çdokënd që kam folur, më ka thënë se ai ishte lojtari më i mirë që ka luajtur ndonjëherë në Itali. Për mua, Ronaldo është lojtari më i kompletuar i të gjitha kohëve”, theksoi futbollisti i Lazios.
Ish futbollisti i Kaiserslauternit dhe Bayern Munichut e pranon se Ronaldo mund të jetë i zhgënjyer që e ka humbur rekordin, posaçërisht për faktin se ka qenë i pranishëm në stadium kur Klose shënoi ndaj brazilianëve.
“Është e qartë se kjo mund të jetë e dhimbshme për të, pasi ishte në stadium kur e kalova atë në duel me Brazilin”, shtoi Klose.
“Para lojës, ai më dërgoi mesazh, ku shkruante: Klose, mirë se vjen në klubin e 15-të. Tash unë mund t’ia kthej: Miroslav Klose është në klubin e 16-të dhe çdokush është i mirëseardhur të më bashkohet aty”, përfundoi Klose.