Ronaldo, gati për aksion

Cristiano Ronaldo e ka kompletuar stërvitjen e së hënës me ekipin dhe është i gatshëm për betejën me Bayern Munichun. Ylli portugez duket të jetë në formë, para duelit gjysmëfinal të Ligës së Kampionëve.

Sport

21/04/2014 19:18

Cristiano Ronaldo ka qenë në formë të mirë fizike dhe e ka kompletuar stërvitjen e së hënës me Real Madridin, i cili po përgatitet për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Bayern Munichut.

29 vjeçari e ka luftuar me sukses një lëndim të pësuar në ndeshjen e parë çerekfinale të Championsit, ndërsa ishte në dyshim prezenca e tij në duelin e së mërkurës, që do të zhvillohet në Santiago Bernabeu.

Sidoqoftë, CR7 ka ushtruar mjaftueshëm të dielën, duke e shtuar intensitetin të hënën, që nënkupton se Carlo Ancelotti do ta ketë një armë më tepër kundër kampionit evropian.

Gjithashtu, edhe Sergio Ramos, që kishte një lëndim të lehtë, ushtroi me ekipin të hënën, ndërsa Gareth Bale qëndroi jashtë për shkak të një lëndimi të vogël.

Ndeshja ndërmjet Realit dhe Bayernit do të zhvillohet të mërkurën, duke filluar nga ora 20:45.