Romë, goditet celula terroriste me dy shqiptarë

Pak ditë më parë, skuadra e anti- terrorit të Romës po kërkonte të vinte në pranga një të ri, i cili kishte kohë që ishte nën përgjim dhe ndjekje pasi dyshohej se i përkiste një celulë terroriste.

Lajme

13/03/2016 11:59

 

Ai u arrestua dhe rezultoi të ishte një 22 vjeçar, imam, me shtetësi somaleze. I riu, sipas akuzës, frymëzohej nga organizatat terroriste ISIS, Al Kaeda dhe Al Shabab, duke ftuar persona të tjerë të qendrës së pritjes për të kryer aksione të dhunshme në emër të xhihadit. I riu shprehej i ekzaltuar për atentatet terroriste në Paris në rrethin e tij shoqëror, duke ftuar miqtë e tij t’i bashkoheshin xhihadit dhe ta ndiqnin në fillim në Romë, pastaj në Siri. Në dhomën e tij, agjentët kanë regjistruar me një telekamera të fshehur somalezin, ndërsa shikonte video të ndryshme në të cilat shfaqeshin imazhet e atentatit. Arrestimi i tij u krye me 9 mars, në Romë, ndërsa kjo skuadër ka vijuar hetimet intensive.

(Njëri nga të dyshuarit për terrorizëm, Vullnet Maqellara)

Shqiptarët e ISIS-it

Dy ditë pas arrestimit të somalezit, skuadra e anti-terrorit ra në gjurmët e një tjetër grupi, që në përbërjen e tij gjendeshin shtetas me origjinë shqiptare. Hetimi ka qenë intensiv sa është bërë e mundur të kapen edhe biseda mes palëve ku në këtë grup mësohet se janë dy shqiptar dhe një tunizian. Njëri prej shqiptarëve është në burg dhe madje pretendohet një prej kriminelëve më të frikshëm që gjendet në burgjet italiane, pasi jo vetëm që është pjesëmarrës në grupe terroriste por madje ai duket se nëse i jepet mundësia në emër të xhihadit do të bënte akte të rënda. Kështu dy ditë më parë, u tha se policia speciale italiane ka organizuar një operacion anti-ISIS. Trupa të skuadrës anti-terror kanë identifikuar dy persona të lidhur me Shtetin Islamik: shtetasin maqedonas Vullnet Maqellara, 41 vjeç, i cili ndodhet në burg dhe njihet edhe me emrin “Carlito Brigande”, dhe tunizianin Firas Barhoumi, 29 vjeç, i cili ndodhet në Irak. Një person i tretë është arrestuar për evazion dhe posedim të dokumenteve false. 26-vjeçari Abdulla Kurtishi kishte kontakte të vazhdueshme me Maqellarën.

Hetimi

Hetimi vjen pas dyshimeve që i kanë lindur policisë italiane në nëntor 2015, kur Vullnet Maqellara është arrestuar për llogari të drejtësisë maqedonase. Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur letra në arabisht dhe fotografi që çonin në dyshimet për lidhje me terrorizmin. Mbi bazën e këtyre të dhënave, ROS, skuadra e specializuar në luftën kundër terrorizmit, ka nisur përgjimet dhe verifikimet e dokumenteve. Nga përgjimet ka dalë se menjëherë pas arrestimit, Maqellara është vënë në kontakt me tunizianin Barhoumi, i cili në atë kohë luftonte në Irak, në radhët e ISIS-it. Maqellara dhe Barhoumi ishin njohur në burg, ku kishin kryer së bashku dënimet respektive në fund të vitit 2014 – fillim të 2015-s. Në bisedën e bërë në telefon më 20 tetor të 2015-s mes Maqellarës dhe tunizianit, flitet për sulme terroriste dhe të ashtuquajturin Shteti Islamik. Tuniziani kishte planifikuar një sulm me bombë të një automjeti dhe po priste mbërritjen e shqiptarit në Turqi për ta realizuar.

Biseda mes shqiptarit dhe tunizianit

Baroumi: Nuk ka problem vëlla. Do të shkojë gjithçka mirë, inshallah, edhe nëse ti dëshiron të vish këtu, do të të sistemojmë ne. Mjafton që t’i të bësh llogaritë, dhe me dokumente false mund të vish, inshallah.

Maqellara: Unë gati jam, nëse mund të më shkruash adresat e rrugëve dhe çfarë duhet të kem parasysh dhe avash-avash do të arrij atje.

Baroumi: Inshallah vëlla. Mjafton që ti të vish në Turqi. Pastaj për pjesën tjetër mendoj unë. Kuptove? Mjafton të vish në Turqi. A më kuptove?

Maqellara: Në rregull vëlla. Do përpiqem këtë muaj. Do përgatitem avash e vash. Unë kur nisem, nisem i sigurt. Nuk futem mes stuhisë. Shpresoj të vij sa më shpejt.

Baroumi: Shiko, unë po planifikoj një sulm me eksploziv. Do marr një makinë dhe do e hedh në erë. Por nëse ti vjen më herët mund ta shtyj datën e operacionit.

Maqellara: Kam folur me një mik timin. Po pres përgjigje. Më duhet edhe pak kohë, të paktën 10 ose 20 ditë. Nëse ai arrin, që edhe për pesë ditë ta kryejë atë punë, do të marr avionin dhe do të nisem./shekulli