Rohani propozon buxhet për “t’i rezistuar sanksioneve” amerikane

14:01 | 8 Dhjetor 2019

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani.

Presidenti i Iranit, Hassan Rohani ka prezantuar para parlamentit atë që e ka quajtur “buxhet për t’i rezistuar sanksioneve” dhe ka sugjeruar se një kredi e mundshme multi-miliardësh nga Rusia do të ishte burimi kyç i të ardhurave.

Draft-buxheti – që sipas vitit Persik fillon në mars të vitit 2020 – vjen pas presionit në rritje nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe iranianët ende po rimëkëmben nga trazirat vdekjeprurëse të muajit të kaluar, që u shkaktuan pas racionimit të naftës dhe uljes së subvencioneve.

Rohani tha se buxheti që ka propozuar reflekton “varësin më të vogël të mundshme nga nafta”.

“Vitin e ardhshëm, ngjashëm si këtë vit, buxheti jonë do të jetë buxhet i rezistencës dhe ngadhënjimit ndaj sanksione”, u tha deputetëve Rohani.

“Ky buxhet e njofton botën se pavarësisht sanksioneve ne do ta menaxhojmë vendin, posaçërisht naftën”, tha ai.

Ekonomia e Iranit po përballet me sanksionet e ashpra amerikane, që prej se presidenti i SHBA-së, Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 dhe rivendosi sanksionet.

Buxheti i propozuar nga Rohani kap shifrën e 40 miliardë dollarëve apo 20 për qind më i lartë sesa buxheti i këtij viti./rel