Rohani: Irani kurrë nuk do të dorëzohet para presionit amerikan

Irani kurrë nuk do të mbajë bisedime me Shtetet e Bashkuara, nëse është nën presion, tha presidenti iranian, Hassan Rohani, gjatë një konference për media në Teheran.

Bota

16/02/2020 15:27

Ai shtoi se Republika Islamike një ditë do ta detyrojë armikun e saj që të vijë në tavolinën e bisedimeve.

“Irani kurrë nuk do të negociojë nën presion… Ne kurrë nuk do të dorëzohemi para presionit të Amerikës dhe ne kurrë nuk do të negociojmë nga pozicioni i dobësisë”, tha Rohani.

Shtetet e Bashkuara kanë rivendosur sanksione ekonomike ndaj Iranit, që prej majit të vitit 2018, kur u tërhoqën nga marrëveshja bërthamore ndërmjet Teheranit dhe fuqive botërore.

“’Presioni maksimal’ i Amerikës ndaj Iranit është i destinuar të dështojë”, tha presidenti iranian.

Presidenti Rohani po ashtu tha se roli i Teheranit është thelbësor për sigurinë në rajon.

“Sigurimi i paqes dhe stabiliteti në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Gjirit Persik janë të pamundura pa ndihmën e Iranit”, tha ai./rel