Rohan: Kosova ka përparuar

Albert Rohan thotë se Kosova e pavarur në përgjithësi ka ecur përpara. Sipas tij, vendi ka fituar njohje të gjerë ndërkombëtare. Si anë të dobët e sheh aspektin ekonomik dhe social. Ndërsa përmes dialogut pret që Serbia ta njoh Kosovën.

Lajme

17/02/2014 10:49

Albert Rohan ka thënë se Kosova si shtet ka fituar njohje të gjerë ndërkombëtare dhe sheh përparime në institucionet shtetërore të Kosovës.

Në një intervistë për Radio Kosova, ish-ndërmjetësi për zgjidhjen e statusit, diplomati austriak Albert Rohan, në gjashtë vjetorin e shteti të Kosovës si anë të dobët e sheh aspektin ekonomik dhe social, fusha e cila sipas tij ka shënuar ngecje.

“ Kosovën e shoh sot si një shtet që ka fituar njohje të gjerë ndërkombëtare. Shoh përparime në institucionet e themeluara të shtetit të Kosovës. Gjithashtu, shoh përmirësim të marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë. Në përgjithësi, Kosova e pavarur ka ecur përpara”.

“Ajo që mund të konsiderohet ana e dobët është aspekti social dhe ekonomik, fusha këto ku janë shënuar ngecje. Mendoj se në aspektin e zhvillimit ekonomik dhe përmirësimit të jetës sociale në vend, Qeveria e Kosovës duhet të tregojë përkushtim më të madhe se deri më tani. Po ashtu, në drejtim të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të bëhet me shumë”.

“Në këtë kuadër, unë uroj fillimin e bisedimeve për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, e cila shpresojmë të nënshkruat këtë vit”.

Diplomati austriak në vijim të intervistës në Radio Kosova, thotë se vetëm përmes dialogut, mund të arrihet në pikën kur Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës

“ Besoj dhe këtë e kam thënë gjithmonë, se dialogu është i pashmangshëm dhe i patejkalueshëm. E përsëris se nuk ka alternativë tjetër, përveç dialogut. Duhet të pranojmë se Serbia ka një ndikim dhe luan një rol kur është në pyetje çështja e anëtarësimit të Kosovës në OKB”.

“Po, po, është një problem ky. Unë e kam kritikuar këtë veprim të këtyre pesë vendeve në mënyrë të përsëritur dhe e kritikoj prapë. Po e kritikoj edhe tani. Konsideroj se ky është një qëndrimi i pakuptueshëm dhe i paarsyeshëm nga këto pesë shtete evropiane.

Në fund të intervistës Rohan ka një mesazh për institucionet e vendit.

“Duhet të jeni të kënaqur me ato që janë arritur përgjatë gjashtë viteve të pavarësisë. Kur të kihet parasysh fakti se Kosova është themeluar si një shtet i ri, ku është dashur të ndërtohet gjithë çka nga themeli, atëherë, mund të thuhet se janë bërë të arritura të mëdha”.

“Është arritur mjaft edhe në planin ndërkombëtar. Me një fjalë, ka mjaft arsye për të qenë të kënaqur me të arriturat e shënuara. Në anën tjetër: ka mbetur edhe shumë punë për tu bërë, shumë gjëra për tu rregulluar e për të rënë në vend të vetë. Para së gjithash, ka mbetur për të bërë shumë në planin ekonomik dhe social – të përmirësimit të jetës, njerëzit kanë nevojë për vende të reja të punës .