Rode përforcon Bayernin

Bayern Munich ka zyrtarizuar marrëveshjen me mesfushorin e Eintracht Frankfurtit, Sebastian Rode. 24-vjeçari do të transferohet në Allianz Arena gjatë afatit kalimtar të verës, në kontratë katërvjeçare.

Sport

15/04/2014 11:07

Bayern Munich ka konfirmuar transferimin e mesfushorit të Eintracht Frankfurtit, Sebastian Rode në përfundim të sezonit.

24-vjeçari ka arritur marrëveshje katërvjeçare me kampionin e Bundesligës. Rode ka bërë 108 paraqitje për ekipin e parë të Eintracht Frankfurtit, përfshirë 61 duele në Bundesligë.

Ai ishte anëtar kyç në ekipin e trajnerit Armin Veh që edicionin e kaluar siguroi kualifikimin për në Evropë, kur formoi dyshe të fuqishme të mesfushës së bashku me kapitenin Pirmin Schwegler.

Rode ka bërë 17 paraqitje gjatë këtij sezoni në Bundesligë, dhe shtatë të tjera në fushatën e Frankfurtit në Europa League që përfundoi me eliminim në rrethin e dytë.

“Jam shumë i lumtur që ky transferim është kompletuar”, deklaroi Rode për uebfaqen zyrtare të Bayernit.

“Bayern është hapi i radhës, i madh për mua. Dua të zhvillohem këtu dhe të fitoj shumë tituj me bashkëlojtarët e mi të ardhshëm”, u shpreh ai.