Robben: Bayerni, më i fortë me Guardiolën

Arjen Robben thotë se Bayern Munich dëshiron të vazhdojë të jetë ekip dominues në Evropë dhe se është i etur ta demonstrojë këtë në duelet me Manchester Unitedin, në çerefinale të Ligës së Kampionëve. ‘Die Roten’ e siguruan titullin e 24-t në Bundesliga javën që shkoi. Tash, ata po mendojnë për kompeticionin më të rëndësishëm…

Sport

30/03/2014 11:50

Arjen Robben thotë se Bayern Munich dëshiron të vazhdojë të jetë ekip dominues në Evropë dhe se është i etur ta demonstrojë këtë në duelet me Manchester Unitedin, në çerefinale të Ligës së Kampionëve.

‘Die Roten’ e siguruan titullin e 24-t në Bundesliga javën që shkoi. Tash, ata po mendojnë për kompeticionin më të rëndësishëm evropian.

Mesfushori holandez mendon se gjiganti bavarez është më i fortë nën drejtimin e Pep Guardiolës, sesa ai i sezonit të kaluar, i cili fitoi gjithçka me Jupp Heynckes.

“Guardiola na ka kthyer ne në një ekip dominues në Evropë. E kemi bërë një tjetër hap gjigant si ekip këtë sezon. Jemi më dominues se që ishim. Nga minuta e parë, ne e vëmë në presion kundërshtarin dhe jemi në gjendje ta mbajmë topin, duke i vënë në presion ata për 90 minuta”, deklaroi 30 vjeçari.

“Stili i lojës sonë është më sulmues, në krahasim me sezonin e kaluar. Ky trajner është i fortë taktikisht. Ai gjithmonë e shikon se ku mund të gjejmë hapësira që të kemi situatë një në një. Ai na mëson se si të bëjmë sprinte më të shpejta dhe si të vrapojmë pa top”, përfundoi ish futbollisti i Chelseat e Real Madridit.

Bayerni e fitoi titullin e pestë evropian sezonin e kaluar, duke e mposhtur Borussia Dortmundin 2-1 në finalen e Wembleyt, ndërsa Robben mendon se ekipi i tij ka kapacitet për t’u bërë skuadra e parë në histori që i fiton dy trofe të Ligës së Kampionëve rresht.

“Asnjë ekip nuk mund ta ketë një ‘shëtitje’ deri tek finalja. Ne do të luajmë me Manchester Unitedin, një emër i madh i futbollit botëror. Por, loja jonë është fenomenale dhe duam ta demonstrojmë këtë në Champions. Të luash kundër Unitedit duhet ta japësh më të mirën”, shtoi ai.

“Ne e fituam titullin në Gjermani javën e kaluar, por nuk jemi kënaqur shumë me të. Askush në zhveshtore nuk po fliste për të. Ne e dinim vite më parë se do ta fitonim titullin”, përfundoi Robben.

Bayerni do të udhëtojë drejt Manchesterit për ta zhvilluar ndeshjen e parë çerekfinale të martën, ndërsa loja e kthimit do të zhvillohet në Munich më 9 prill.