Rivaldo: Barcës nuk i duhet Neymar nëse luan Fati

Legjenda braziliane e futbollit, Rivaldo, ka befasuar me deklaratën e fundit.

Sport

19/09/2019 18:15

Rivaldo ka komentuar së fundmi edhe lidhur me dështimin e transferimit të Neymar tek Barca, por ka dhënë një mendim tejet interesant.

Sipas brazilianit, Barcelonës nuk i duhen më shërbimet e yllit të PSG, nëse Ansu Fati vazhdon me paraqitjet e mira që ka treguar deri më tani.

“Siç kam thënë më parë, fillimi i sezonit është mundësi e artë për të provuar lojtarë të rinj. Mungesa e ndeshjeve vendimtare lejon disa gabime, për t’iu dhënë hapësirë të rinjve dhe Valverde ka bërë mirë me këtë vendim” ka thënë Rivaldo fillimisht, transmeton lajmi.net.

“Ansu Fati ka treguar personalitet të madh, duke bërë edhe debutimin në Ligën e Kampionëve. Nëse Barca do të luante më mirë, Fati do të kishte paraqitje edhe më të mira” shtoi braziliani.

“Nëse Barca ia del të luajë mirë, me Fati që është pjesë e rëndësishme e skuadrës, ata nuk kanë nevojë për lojtar tjetër” ishin fjalët e Rivaldo, duke iu referuar Neymar.

Ansu Fati në debutimin e tij në Ligën e Kampionëve, kundër Dortmund, nuk arriti më shumë sesa një barazim. /Lajmi.net/