Rita Ora në vendin e parë në Top Listën Britanike, për herë të katërt

Rita Ora barazon yllin e Spice Girls, Geri Halliwell, me katër këngë singël në vendin e parë në Top Listën e këngëve më të shitura dhe më të dëgjuara në Britani.

ShowBiz

19/05/2014 13:57

Rita ka shkuar direkt në vendin e parë në Britani me këngën e saj të fundit ‘I will never let you down’. Kështu, ajo barazohet me vajzën e grupit ‘Spice Girls, Geri Halliwell, si këngëtarja britanike me më shumë singëla në vendin e parë, gjithsej 4.

Rita ka debutuar në këtë top listë në vendin e parë në shkurt të vitit 2012 me këngën bashkëpunim me Dj Fresh, ‘Hot Right Now’, duke u përcjellë më pas nga singëli i saj i parë ‘R.I.P’ në maj të 2012 dhe përsëri në gusht me këngën ‘How We Do’.

“Sapo kam mësuar se kënga I will never let you down është në vendin e parë dhe jam e mahnitur”, ka thënë Rita për Radio BBC1, duke shtuar: “Është çmenduri pasi kjo është kënga e katërt që shkon në vend të parë. Jam e nderuar. Siç e shihni, kam mbetur pa fjalë, nuk mund ta besoj! Jam shumë e lumtur që fansat e mi janë kaq mbështetës sepse kjo është një këngë speciale dhe personale për mua.”

Kënga ‘I will never let you down’ ka producent dhe është shkruar nga i dashuri i Ritës, Dj Calvin Harris dhe vetë Rita.