Rishikimi i buxhetit në Drenas, nxit përleshje fizike mes asamblistit dhe drejtorit të Urbanizmit

Asamblisti i Kuvendit komunal të Drenasit, Istref Elshani dhe Drejtorit i Urbanizmit i kësaj komune, Betim Berisha janë përfshirë në një incident fizik sot pas mbledhjes së Kuvendit Komunal.

Lajme

04/06/2015 16:01

Sipas një burimi të lajmi.net, në njërën prej pikave të rendit të ditës rishikimi i buxhetit, mes Elshanit dhe Berishës, të dytë anëtarë të PDK-së, ka pasur mospajtime të mëdha.

Elshani e Berisha kanë vazhduar debatin edhe në oborrin e komunës, ku më pas problemet kanë dashur ti sqarojnë edhe me rrahje.

“Pas debatit të ashpër në mbledhjen e Kuvendit, ata kanë vazhduar me ato kundërshtime edhe pas përfundimit të saj. Në oborrin e komunës, Elshani e ka goditur lehtë drejtorin Berisha. Kolegët kanë ndërhy menjëherë dhe i kanë nda”, ka thënë ky burim, për lajmi.net.

Ai ka treguar se edhe në të kaluarën raportet mes Elshanit e Berishës nuk kanë qen të mira.

Gjithnjë sipas këtij burimi, më vonë ka ardhur edhe policia e cila i ka marrë në pyetje. Lajmi.net ka tentuar të marrë ndonjë informatë për këtë rast edhe nga Policia e Kosovës për rajonin e Prishtinës, por që ata nuk janë përgjigjur thirrjeve .

Një debat për pikën tre rishikim të buxhetit për gjashtëmujorin e dytë të këtij viti e konfirmon edhe një njoftim nga komuna e Drenasit, e publikuar në Facebook.

“Ndërsa për pikën e tret për rend dite për vendimin e rishikimit të buxhetit të Komunës për vitin 2015 (gjashtëmujorin e dytë të këtij viti) sado që pati debat propozim vendimi i ekzekutivit kaloi pa ndryshime”, thuhet në njoftim të komunës.