Rishfaqet Fatmir Sejdiu, jep vlerësimet për zgjedhjet

Ish kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili gjatë tërë fushatës zgjedhore, nuk u shfaq askund për t’i ndihmuar partisë së tij, ku është kryetar nderi, ka folur sot. Ai ka komentuar zgjedhjet e djeshme, duke e vlerësuar procesin, me kulturë demokratike, por nuk ka folur për LDK-në e cila i humbi zgjedhjet. 

Lajme

09/06/2014 14:06

Ish presidenti, vlerëson se zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit treguan kulturën demokratike të qytetarëve të Kosovës. 

Sipas tij është momenti për të vlerësuar përkushtimin qytetar të votuesve dhe po kështu edhe përgjegjshmërinë e partive politike për mbarëvajtjen e deritashme të procesit zgjedhor. 

“Procesi zgjedhor dhe vota e elektoratit përcakton vendin dhe forcën e partive politike dhe ky përcaktim politik kërkohet të respektohet duke kontribuar të gjitha subjektet elektorale në vazhdimin e proceseve tjera të konsolidimit të institucioneve legjislative dhe ekzekutive”, thuhet në një komunikatë. 

Sejdiu sugjeron vazhdimin e këtij procesi demokratik dhe në përmbylljen e tij të suksesshme, me ç’rast sipas tij, fituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët dhe perspektiva evropiane e qytetarëve dhe e shtetit të Kosovës. 

Ish kryetari i LDK-së, është ndër të paktit që ka kundërshtuar nominimin e Isa Mustafës për kryeministër. 

Ai është shfaqur i pakënaqur me zhvillimet në parti, duke preferuar që të mbetet jashtë këtij procesi zgjedhor. 

Tani kur Mustafa ka humbur edhe zgjedhjet parlamentare, pas atyre lokale, Sejdiu pritet që fillojë aktivitetin e tij, për t’u rikthyer në krye të partisë, drejtimin e së cilës e kishte marrë pas vdekjes së kryetarit historik të këtij subjekti, Ibrahim Rugova.